Qeveria e qendrës së djathtë në Bullgari i mbijetoi votës së mosbesimit, të iniciuar nga socialistët opozitarë, të cilët e akuzojnë për dështim në luftimin e korrupsionin endemik.
Votimi i së martës ishte mocioni i pestë i mosbesimit kundër qeverisë së koalicionit, qëkur ajo ka marrë detyrën në vitin 2017.
Mijëra bullgarë kanë protestuar për gati dy javë kundër kabinetit të kryeministrit Boyko Borisov dhe kryeprokurorit Ivan Geshev.
Disa qindra protestues u mblodhën jashtë parlamentit edhe para votimit të sotëm, duke brohoritur “Mafi”, “Dorëheqje” dhe ” Borisov është një turp”.
Kundër mocionit votuan 124 ligjvënës, ndërsa për ishin 102.
Borisov, 61 vjeç, po shërben mandatin e tretë si kryeministër.
Sipas organizatës Transparency International, Bullgaria është më e varfra dhe më e korruptuara nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Borisov, javën e kaluar, ka njoftuar se tre ministra kryesorë – i Financave, i Ekonomisë dhe i Punëve të Brendshme – kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të dhënë dorëheqje, në përpjekje për të qetësuar zemërimin e publikut.
Megjithatë, Borisov e ka shtyrë riorganizimin e kabinetit deri pas votimit të mocionit të mosbesimit.