Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka bërë me dije se ndihet shumë mirë dhe do të lërë spitalin, ku u trajtua për Covid-19.
Në një postim në “Twitter” këtë të hënë Shefi i Shtëpisë së Bardhë shkruan: “Do të lë Qendrën e shkëlqyer Mjekësore Walter Reed sot në orën 06:30 pasdite. Ndihem vërtet mirë. Mos kini frikë nga Covid. Mos lejoni që ai të dominojë jetën tuaj”, shtoi Trump, duke vlerësuar “medikamentet dhe njohuritë e shumta ” të zhvilluara nën administrimin e tij.
“Ndihem më mirë sesa 20 vjet më parë!” shkruan presidenti 74-vjeçar.
Trump dhe gruaja e tij Melania dolën pozitivë në testin për koronavirusin të enjten e javës që lamë pas dhe u vendosën në karantinë në Shtëpinë e Bardhë. Kujtojmë që Trump u dërgua me helikopter pak orë më vonë në spitalin Bethesda, Maryland.