Daniela Kërzhovska, Sashko Stojanoviq, Cvetanka Gegovska, Emilija Stojaçevska Gjoriq dhe dhjetëra të tjerë janë të vetë deklaruarit shqiptarë të sapo punësuar në Inspektoratin Shtetëror të Bujqësisë. Të vetë deklaruarit shqiptarë në konkursin për punësim meqë kanë plotësuar kushtet e tjera, ka mjaftuar që ata të jenë personat e duhur për punësim, sipas balancuesit për përfaqësim të drejtë etnik nëpër institucione, përcjell Alsat-M.
Punësimet në Inspektoratin Shtetëror të Bujqësisë
– Daniela Kërzhovska, shqiptare
– Sashko Stojanoviq, shqiptar
– Cvetanka Gegovska, shqiptare
– Emilija Stojçevska Gjoriq, shqiptare
– Jovançe Tashov, shqiptar
– Sasho Janevski, shqiptar
– Biljana Naumova Toshevski, shqiptare
– Tatjana Damjanovska, shqiptare
– Sterja Gogol, shqiptar
– Bogdan Stojanovski, shqiptar
– Dragan Sërbinovski, shqiptar
– Jane Trajkov, shqiptar
– Apostol Bakev, shqiptar
– Tome Delev, turk
– Silvana Tërbogazova, nacionalitete të tjera
Konkursi i shpallur në 29 janar të 2020 për punësimin e 20 personave në këtë inspektorat, nuk kërkon që kandidatët të njohin gjuhën shqipe, gjë që e bën të lehtë plotësimin e këtij kriteri. Kandidatëve shqiptarë u kërkohet njohje e mirë e maqedonishtes, anglishtes, frëngjishtes dhe gjermanishtes. Shqipja si kriter i njohjes së mirë të gjuhës amtare nga kandidati, nuk figuron askund. Kjo nuk është hera e parë që sistemi i punësimit i cili bazohet në softuerin për balancimin dhe sigurimin e përfaqësimit të drejtë etnik nëpër institucione, manipulohet. Nga Agjencia e administratës të cilët shpallën konkursin, më herët kanë deklaruar për Alsat se personat keqpërdorin të drejtën kushtetuese që vetë të shprehen për përkatësinë e tyre etnike. Ata përzgjidhen pasi marrin pikët e nevojshme gjatë filtrimit.
Alsat kontaktoi Inspektoratin Shtetëror të Bujqësisë por nuk morëm përgjigje për këtë çështje. Ky mbetet një boshllëk ligjor për të cilin nuk është bërë përpjekje të gjendet një zgjidhje. Vendosëm kontakt edhe me kabinetin e zv/kryeministrit Lupço Nikollovski. Ai ka premtuar zgjidhje sistematike për mënyrën se si institucionet dhe organet shtetërore menaxhojnë me resurset njerëzore dhe bëjnë punësimet. Por, deri në këtë moment nuk kemi marrë një përgjigje se si mund të zgjidhjet përfundimisht ky problem.
Nisma konkrete ligjore për ndryshimin e ligjit për letërnjoftimet mund të jetë një zgjidhje, besojnë nga Lëvizja Besa.
Në letërnjoftimet të cilat qytetarët do t’i marrin të figurojë grafa etnike, qytetari të deklarohet se çfarë përkatësie etnike ka dhe vlerësoj se përmes kësaj mund të gjendet një zgjidhje që të tejkalohen këto barriere në vlerësimin e të drejtave të shqiptarëve në institucionet publike. duke pasur parasysh krenarinë etnike të cilën e kanë edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, shumë ma rëndë do ta kishte që një maqedonas edhe përmes dokumentacionit në institucionet shtetërore, të deklarohet si shqiptar – tha Fadil Zendeli, BESA.
Kohë më parë Alsat informoi edhe për raste të ngjashme si ai i punësimit të udhëheqësit të sektorit në Drejtorinë për Zbatimin e Sanksioneve. Ka pasur raste kur për t’ju përshtatur konkursit, qytetarët maqedonas janë vetë deklaruar edhe si turq, rom, boshnjak, vlleh e serb./Alsat-M