Spanja në gjendje të jashtëzakonshme edhe gjashtë muaj

Gjendja e jashtëzakonshme në Spanjë do të zgjasë gjashtë muajt e ardhshëm, pra deri në fillim të muajit maj 2021. Me këtë masë, rajonet e vendit kanë mbështetje ligjore për të vendosur kufizime të lëvizjeve në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Marketing

Spanja është një nga vendet më të goditura në Evropë nga pandemia, me mbi 3 milionë të infektuar.

Përgjigja e saj ndaj pandemisë shpesh është penguar nga grindjet politike, por qeveria këtë herë arriti të mbledhë vota të mjaftueshme në parlament, për të mbështetur zgjatjen e një dekreti për gjendjen e jashtëzakonshme, raporton Reuters.

Ka pasur shqetësime për pasojat e gjendjes së jashtëzakonshme, pasi vendi tashmë po vuan recesionin e tij më të keq, që nga fundi i luftës civile të viteve 1930.

“Më duket shumë, njerëzit nuk e durojnë dot”, tha një banore e Madridit, Angela Suarez.

“Ne nuk dimë çfarë të bëjmë. Ne paguajmë qira, fatura, po mendojmë, si do t’ia bëjmë?”, i tha ajo agjencisë Reuters. Qeveria tha se gjendja e jashtëzakonshme dhe kufizimet e lëvizjes ishin të pashmangshme.

“Ne jemi të vetëdijshëm se qytetarët janë të lodhur pas disa muajsh përpjekjesh dhe sakrificash, duke mos qenë në gjendje të bëjnë atë që bënin më parë”, tha ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa në parlament.

“Por nuk është koha për të relaksuar masat, kemi përpara, javë dhe muaj shumë të vështirë”, shtoi ai.