Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin i cili ka shtënë me armë zjarri ndaj një personi në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari” në Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur të dielën në orën 10:45.
Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar Agron Borovci, zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës.
“Që në kontaktin e parë me viktimën janë ndërlidhur veprimet policore për hetimin dhe ndriçimin e rrethanave të ngjarjes, është ngritur dyshimin se i dyshuari, një mashkull 35 vjeç, i njohur për policinë, me veturën e tij, pasi i ka pamundësuar lëvizjen e veturës së viktimës, ka dalë nga vetura dhe ka shkrepur armën, veprim ky me të cilin ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm”.
Borovci tha janë ngritur dyshimet se i dyshuari pasi ka shkrepur armën, ka kanosur ankuesin, si dhe të njëjtin e ka goditur në kokë duke i shkaktuar lëndime.
Policia ka bërë të ditur se pas goditje në kokë viktimës i është ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor, ndërkohë që policia ka vazhduar me veprime të tjera operativo-hetimore dhe atyre të ekzaminimit.
Ai shtoi se në këtë rast është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, me qëllim kërkimin, gjetjen dhe mbledhjen e provave, dëshmive dhe të dhënave të tjera që do t’i shërbenin hetimit të mëtejmë.
“Gjithashtu pas marrjes së autorizimit nga prokurori i shtetit policia ka kryer edhe një operacion bastisjeje në adresën e të dyshuarit porse i njëjti nuk është gjetur aty. Hetimi është thelluar edhe më tej ndërkaq dinamika e veprimeve policore ka trasuar orientimin e zbardhjes së plotë të ngjarjes me fokus zbulimin e vendndodhjes dhe kapjen e të dyshuarit”.
Borovci theksoi se sot më datë 10.11.2020, i dyshuari është paraqitur në njësinë e hetimeve të përgjithshme të rajonit të Prishtinës, duke dorëzuar edhe armën që dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë.
Zëdhënësi i policisë tha se ndaj të dyshuarit policia ka shqiptuar masën e arrestit policor dhe me autorizimin e prokurorit të shtetit të njëjtin e ka dërguar në mbajtje prej 48 orësh.