Momenti kur policia mori nga shtëpia Ismailoviqin! Familjarët kishin ardhur t’i japin kurajo (VIDEO)

Përderisa po i bënte gati rrobat për në paraburgim, jashtë shtëpisë së të akuzuarit të rastit “Monstra”, Agim Ismailoviqit, ishin mbledhur të gjithë të afërmit dhe fqinjë për ta përcjellë dhe për t’i dhënë kurajo.

Marketing

Për Agimin nëpër portale të ndryshme u përfol se ka ikur nga gjykata, por ai e mohon një gjë të tillë.

“Isha në seancë deri nga ora 11.30 dhe prokurorja Fatime Fetai ka kërkuar paraburgim. Prej aty d.m.th. si zakonisht të premten në gjuhën tonë popullore thuhet e xhuma, isha në xhami. Me miqtë nga ora 12.30 ishim pimë nga një kafe diku një orë gjysmë dhe kur më lajmërojnë familja se kanë ardhur policia te shtëpia dhe më kanë kërkuar, por nuk kanë lënë diçka ose thirrje që të lajmërohem në stacion policie ose të shkoj në stacion. Vetëm më kanë kërkuar a jam këtu”, u shpreh Ismailoviq.

Për shkak se policia nuk ka lënë asnjë urdhër ose informatë, pas asaj, Ismailoviq prapë është larguar nga shtëpia për në namazin e ikindisë.

“Unë shkova e fala edhe iqindin dhe kur e shoh Fokusi e ka lajmëruar se kam ikur. Nuk është e mundur të iki, në ishim në gjykatë, ritet fetare i kryem ja erdha edhe në shtëpi. Unë demantoj çdo lajm që është publikuar portale të ndryshme”, tha Agim Ismailoviq, i akuzuar për “Monstrën”.

Paraprakisht në seancë prokurorja Fatime Fetai kërkoi paraburgimin e tij dhe të akuzuarit Fejzi Aziri, nga rreziku se të akuzuarit në fjalë mund të arratisen, për shkak se siç tha rastit Monstra po i vjen fundi dhe se sipas saj, argumentet nuk janë në favor të të akuzuarve.

Por, Ismailoviq thotë se nuk e ka ndërmend për çfarëdo lloj vendimi që për asnjë moment të largohet nga vendi ku ka lindur.

“Edhe në gjykatë ju thash çfarëdo vendimi që të merret nuk kam ndërmend të iki prej shteti, sido që të jetë do ta pranoj me respekt. Jam në vendin tim dhe këtu do të jem deri në vdekje”, u shpreh Ismailoviq.

Ismailoviq u përshëndet me fqinjët e të afërmit e me përcjellje të policisë u largua nga shtëpia.

Ndërkohë që sipas burimeve të MPB-së, në momentin që kur prokurorja Fatime Fetai kërkoi nga gjykata Penale që t’ju shqiptohet masa e paraburgimit dy të akuzuarve, njëri prej tyre Agim Ismailoviq kërkoi që të shkojë deri në tualet dhe më nuk u kthye brenda në seancës gjyqësore.

Ndryshe, për rastin Monstra janë të akuzuar Haki dhe Fejzi Aziri, Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq dhe Sami Luta. Lënda është në përfundim. Sipas prokurores Fatime Fetai mbeten edhe 2 lëndë gjyqësore.