Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, thotë se për shkak të fluksit të madh të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe masave të ndërmarra kundër koronavirusit, në kufijtë e shteteve të Ballkanit ka pritje të gjata deri në dhjetë orë.
Sipas MPJD-së, pritjet në kufirin Slloveni-Kroaci janë deri në dhjetë orë, ndërkaq në kufijtë mes Hungarisë dhe Serbisë janë deri në pesë orë.
Për shkak të numrit të madh të diasporës të Kosovës, që është nisur në vendlindje për pushimet e fundvitit, MPJD thotë se ka krijuar shtab emergjent brenda ambasadave të Kosovës që t’iu dalë në ndihmë shtetasve kosovarë që janë nisur drejt Kosovës.
Sipas MPJD-së, qytetarët që kalojnë transit nëpër territorin e Serbisë, për shkak të masave të reja që hyjnë më 20 dhjetor, ku do të kërkohet testi negativ për koronavirus, ata duhet ta lëshojnë territorin e këtij shteti brenda 12 orësh.
“Rritja e kontrolleve për shkak të këtyre masave pritet të ndikojë në shtimin e pritjeve në pikat kufitare në hyrje dhe dalje të Serbisë, për çka qytetarët tanë që kanë marrë rrugën drejt Kosovës duhet të jenë të informuar”, thuhet në njoftim.
https://www.facebook.com/MFAKosovo/posts/3829026763795148
Po ashtu, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se vonesat në kufijtë e vendeve të Ballkanit po shkaktohen për shkak të kontrolleve të shtuara, pas masave të vendosura nga shtetet përkatëse kundër pandemisë së koronavirusit.