Lladrovci: Çdo deklaratë kundër UÇK-së më godet, Qeveria Veseli do të ishte model i qeverisjes

Kryetari i Komunës së Drenasit, njëherë prej emrave më të komentuar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci njihet si një politikan mjaftë karizmatik.

Për dallim nga shumë fytyra të tjera publike, Lladrovci nuk ka hezituar kurrë që të jap opinionin e tij lidhur me shumë çështje, qofshin ato politike apo jo.

Marketing

Ngjashëm u përgjigj edhe në intervistën e fundvitit dhënë për lajmi.net.

Lladrovci përpos që tregoi se si ai dhe familjarët e tjerë presin festat e fundvitit, bëri të ditur se këshillat e kujt i dëgjon më me dëshirë, të gruas apo fëmijëve.

Përpos kësaj, Ramiz Lladrovci tha se nëse nuk do të ishte kryetar komune, me gjasë do të kishte ndonjë profesion ushtarak.

Gjithashtu ai u shpreh i dëshpëruar me dy qeveritë, atë të  Hotit dhe të Kurtit, e që sipas tij Qeveria më e mirë e Kosovës do të ishte ajo e Kadri Veselit.

Intervista e plotë:

Lajmi.net: Si e festoni zakonisht festën e Vitit të Ri në familjen tuaj?

Ramiz Lladrovci: Në familje, ndërrimin e moteve e presim me familjarë, me vëllain, bijtë dhe bijën time, dy nuset dhe mbesën tonë, Arla. Por, për herë të parë këtë vit, pa nënën Ki, edhe pa babën Tush. Në atmosferë familjare me kujtime por krenar me të kaluarën tonë, për më të dashurit që s’i kemi, por edhe me motiv e vullnet për më shumë sukses në vitin tjetër.

Lajmi.net: Cili nga ushqimet dhe pijet nuk mungon asnjëherë në tryezën e juaj për festat e fundvitit?

Ramiz Lladrovci: Ushqimet tradicionale të gatuara në shtëpi janë çdo herë me përparësi dhe verëra, prodhim vendor.

Lajmi.net: Jeni kryetar komune, por nëse s’do të ishit në këtë post cili është profesioni që do ta zotëronit më me dëshirë?

Ramiz Lladrovci: Jam rritur në disiplinë, rregull e marrje të përgjegjësisë, andaj, profesionet që kanë këto elemente do të ishin me përparësi, si për shembull, ushtarak apo të tjera të ngjashme.

Lajmi.net: Jeni nga kryetarët që keni përmbushur më së shumti premtimet e bëra nga zgjedhjet e kaluara, si e keni arritur këtë?

Ramiz Lladrovci: Besimi te administrata, besimi te bashkëpunëtorët, përkrahja nga niveli qendror dhe shumë vullnet për zbatim të ligjit. Ne ligjet i kemi të mira, çështja është të zbatohen, pa dallim kush është e për çfarë çështje bëhet fjalë, pra zbatimi i ligjit, është çelësi i suksesit dhe vullneti për të bërë për qytetarët e komunës time sa më shumë. Punën e kam obligim edhe ligjor por edhe moral ndaj më të dashurve që nuk janë pranë nesh.

Lajmi.net: Keni pesë drejtoresha femra në udhëheqjen e komunës, sipas jush a është më lehtë të punohet me gjininë femërore apo me atë mashkullore. Cilët janë më punëtorë sipas juve?

Ramiz Lladrovci: Unë i kam emëruar gjashtë femra drejtoresha në udhëheqje të komunës, dhe të gjithë drejtorëve ia kam parashtruar detyrat që i takojnë me ligj, por, kam kërkuar të më ndjekin, me tërë mundësitë për më shumë punë. Komuna jonë duhet të ketë më shumë të arritura e zhvillim se komunat tjera, sepse, kishte plagë më të mëdha nga lufta çlirimtare, andaj, ne është dashur të punojmë më shumë. Por, edhe përkrahja e qytetarëve që komunikoj pa ndërpre, është krah i fuqishëm i ndaljes së çdo pune jo të mirë. Prandaj, i falënderoj të gjithë sepse suksesi nuk është e arritur vetëm e një njeriu, por shumë e shumë të tjerëve, me të njëjtin qëllim, suksesin për komunën tonë.

Lajmi.net: Sa orë në ditë i kaloni zakonisht me familjen dhe në vikende zgjedhin të qëndroni në natyrën e Kosovës apo në Shqipëri?

Ramiz Lladrovci: Nëse nuk kam obligime zyrtare, punoj rreth shtëpisë, në pemishte ose rri me familjarë apo miq. Përpiqem të nderoj çdo familje si për gëzime, ashtu edhe solidaritet në dhimbje, kjo kërkon shumë angazhim, por, duhet gjetur kohë, me patjetër, sepse, besimi i qytetarëve më detyron.

Lajmi.net: Ju pëlqejnë më shumë këshillat që u jep bashkëshortja, apo këshillat që merrni nga fëmijët (edhe pse më të rinj në moshë?

Ramiz Lladrovci: Po, bashkudhëtarja njëherësh bashkëshortja ime e njeh më mirë se kushdo natyrën time, nga rinia. Me këshillat e saj dhe fëmijëve, kam më shumë energji për synimet e mia për sa më shumë vepra të mira për qytetarët e komunës tonë.

Lajmi.net: Çfarë u ka ndryshuar ndjenja e të qenurit gjysh?

Ramiz Lladrovci: Të jesh gjysh, është përgjegjësia më e këndshme në familje. Andaj, Arla solli gëzimet e pakufishme në shtëpinë tonë, risolli lodrat e fëmijëve dhe tërë gëzimet e harenë në shtëpi.

Lajmi.net: Cila fytyrë publike ka arritur të iu bëjë më nervoz me ndonjë deklaratë të hapur dhe me cilin kryetar komune keni më së shumti bashkëpunim?

Ramiz Lladrovci: Deklaratat e politikanëve janë opinione të cilat nuk duhet gjykuar, përpos atëherë kur fyhet dinjiteti ynë nacional, shteti apo vlerat kombëtare, etnopsikologjike apo vlerat përtej bindjes personale. Çdo deklaratë kundër UÇK-së më godet, sepse, është shpirti ynë shekullor i rezistencës dhe prirjes për liri. Mund të kemi gabime, por, UÇK-ja është madhështore. Shkëlqimi ynë shpirtëror e fizik, pas Skënderbeut në agjendat botërore dhe liria e arritur. Të gjithë kryetarët e komunave në përgjithësi i kam miq, por, Bekim Hamëz Jashari për mua është më shumë se shok e mik e bashkëpunëtor.

Lajmi.net: Qeveria Kurti apo Qeveria Hoti?

Ramiz Lladrovci: Secila nga këto dy qeveritë i ka dobësitë e veta, sepse, të mirat, si opozitar, nuk priremi t’i shquajmë të parat. Njëra me propagandë të fuqishme e tjetra me propagandë modeste, kanë dallime. Qeveria është dinjiteti i shtetit dhe qytetarëve të saj. Parashikimi im ishte Qeveria Kadri Veseli që do të duhej të ishte model i qeverisjes, avancimit të çështjeve dhe përshpejtim të proceseve madhore, jo vetëm procesi integrues euro-atlantik, por, edhe cilësia e vendimeve madhore si marrëveshja finale, asociacioni, zhvillimi ekonomik dhe përkrahja e kompanive dhe bujqësisë e shumë projekte tjera. Për fat të keq, parashikimi im nuk doli i saktë.

Lajmi.net: Nëse në të ardhmen do t’u besohej ndonjëra prej ministrive, cilën do ta udhëhiqnit më me dëshirë?

Ramiz Lladrovci: Nuk kam pretendime për ministri, por, ajo që do të ishte më sfiduesja do të ishte prioritet imi. Qytetarët tanë meritojnë më mirë, më shumë, me zbatim të ligjit, transparencë e llogaridhënie.

Lajmi.net: Disa prej miqve tuaj më të mirë gjenden në Hagë, cili është mesazhi juaj për këtë fundvit drejtuar atyre?

Ramiz Lladrovci: Po, ne të gjithë që kemi qenë dhe jemi miq të ngushtë e të afërt të tyre e kemi përjetuar dhe përjetojmë shumë rëndë mungesën e tyre. Jo vetëm ne, por edhe vendi ynë dhe kombi janë të goditur. Zemra dhe shpirti ynë është me ta, duke qenë fuqishëm të bindur në pafajësinë e tyre por edhe bindjen e fortë se do të lirohen nga shpifjet e kuzhinave të huaja dhe tendenca e njollosjes së luftës tonë të drejtë e të pastër.

Lajmi.net: Mesazhi juaj për vitin 2021?

Ramiz Lladrovci: Uroj të kemi unitet të sinqertë duke ndihmuar e vlerësuar njëri-tjetrin, ta lartësojmë vendin tonë, interesat e shtetit tonë, të ngrisim mirëqenien e qytetarëve tanë, ta bëjmë vendin tonë pjesë të vlerave euro-atlantike, të zbatojmë idealet e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve tanë për shtet të lirisë, të barazisë para ligjit, mirëqenie dhe gjasa të barabarta. Gjithashtu, uroj të kaloj sa më shpejtë pandemia, pa pasoja të mëdha për qytetarët./

Marketing