Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, dha propozim platformë për bashkëpunim trilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Shqipërisë.
E ashtuquajtura “Iniciativa 8”, drejtuar homologëve të tij në Sofje dhe Tiranë, parasheh përshpejtimin e projekteve investuese infrastrukturore, energjetike dhe të komunikacionit përgjatë Korridorit tetë, si dhe ndërtimin e platformës politike për përparim të bashkëpunimit të ndërsjellë, intensifikimin e këmbimit politik, ekonomik, kulturor, shoqëror dhe të sigurisë.
“Në bazë të qëllimit tonë për përshpejtim të projekteve infrastrukturore, energjetike dhe komunikacionit përgjatë Korridorit tetë, të ndërtojmë platformë politike e cila do të paraqesë forum plotësues për përparimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, intensifikim të këmbimit politik, kulturor, të sigurisë, ekonomik dhe shoqëror, që gjithsesi do të rezultojë edhe me përforcim të besimit ndërmjet popujve tanë, si shtyllë bazë në ndërtimin e miqësisë së ndërsjellë afatgjate”,- shkruan Osmani. “Iniciativa 8” do të paraqesë koordinim trilateral dhe bashkëpunim për mbështetje të projekteve investuese përgjatë Korridorit tetë, vlerëson Osmani.
“Si prijës të diplomatëve në tre shtetet e Ballkanit, anëtare të NATO-s, përmes të cilave lidhet deti Adriatik dhe deti i Zi, si përfaqësues të vendeve të cilat e lidhin lindjen me perëndimin e Ballkanit, konsideroj se kemi obligim të ndërtojmë ura mbi barrierat gjeografike, historike dhe politike të cilat e vështirësojnë lidhshmërinë dhe e rrisin bashkëpunimin”,- thekson Osmani në letrën drejtuar kolegeve, Zaharieva dhe Xhaçka.