Prokurorët amerikanë pritet të hapin hetim federal për vrasje lidhur me vdekjen e një oficeri policie i cili humbi jetën nga plagët e marra kur mbështetësit e Presidentit Donald Trump sulmuan Kapitolin, sipas njoftimeve të medias.
Policia e Kapitolit tha në një deklaratë se oficeri Brian D. Sicknick u plagos “kur po përleshej me protestuesit” gjatë trazirave të së mërkurës. Ai është personi i pestë që humb jetën për shkak të trazirave.
Sulmi mbi Kapitol që ka tronditur botën dhe e ka lënë vendin të shokuar, detyroi dorëheqjet e tre zyrtarëve të lartë të sigurisë së Kapitolit për shkak të dështimit për të ndalur sulmin. Kjo bëri që ligjvënësit të kërkojnë një rishikim të operacioneve dhe një informacion të hollësishëm nga FBI-ja mbi atë që ata e quajtën një “sulm terrorist”.
Protestuesit u nxitën nga Presidenti Trump gjatë një tubimi pranë Shtëpisë së Bardhë të mërkurën që të marshonin drejt Kapitolit, ku ligjvënësit duhej të konfirmonin fitoren e Joe Biden-it në zgjedhje. Turma depërtoi me shpejtësi nëpër barrikadat e policisë, theu dritaret dhe hyri nëpër salla, duke bërë që ligjvënësit të largoheshin.
Një protestuese e bardhë, u qëllua për vdekje nga Policia e Kapitolit ndërkohë që janë bënë dhjetëra arrestime. Tre persona të tjerë gjetën vdekjen gjatë protestave.
Ligjvënësit nga të dy palët u zotuan të bëjnë hetime për të parë nëse mungesa e gatishmërisë e lejoi turmën të hynte dhe të vandalizonte ndërtesën. Departamenti i Mbrojtjes dhe ai i Drejtësisë kishin ofruar ndihmë por ajo u refuzua.
Ligjvënësit me ngjyrë, në veçanti, vunë në dukje mënyrën e trajtimit nga policia të mbështetësve kryesisht të bardhë të zotit Trump.
Ligjvënësja e sapozgjedhur Cori Bush, demokrate nga shteti i Mizurit, tha se nëse “ne, njerëzit me ngjyrë do të bënim të njëjtat veprime… reagimi do të kishte qenë ndryshe… do të ishim vrarë”.
Protestuesit plaçkitën ndërtesën, duke marrë në kontroll zonën e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dhe duke valvitur flamuj të Trump-it, atë amerikan dhe të Konfederatës./