Ndryshimi kryesor në propozim- ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor është heqja e mundësisë që qytetarët të mund të punojnë edhe pas moshës 64 vjeçe. Ministrja e punës dhe politikës Sociale Jagoda Shahpaska për Alsat u shpreh se gratë do të dalin në pension në moshën 64 vjeç si më parë, por përsëri do të kenë të drejtën, nëse duan, të dalin në pension në moshën 62 vjeçe, por me minimum 15 vjet stazh pune. Burrat do të dalin në pension në moshën 64 vjeçe dhe 15 vjet stazh. Lëshime do të ketë vetëm për profesionet deficitare në shëndetësi dhe arsim.
Sipas Kushtetutës, nuk guxojmë të diskriminojmë në bazë të gjinisë. Edhe zgjidhja aktuale ligjore e thotë këtë, dhe ne i përmbahemi dispozitës që burrat dhe gratë janë të barabartë. Nëse duan të punojnë deri në moshën 64 vjeçe, e nëse duan gratë të dalin në pension në moshën 62 vjeçe, atëherë paraqesin kërkesë dhe dalin në pension në këtë moshë – tha Jagoda Shahpaska, ministre e punës dhe politikës sociale.
Shifrat zyrtare tregojnë se aktualisht mbi 6000 persona kanë shtyrë punën edhe për 1 vit. Ndryshimet në Ligjin për pensionim kanë ngecur në Parlament katër muaj pasi opozita ka paraqitur rreth 500 amendamente. Për momentin nuk dihet kur do të zhbllokohen të njëjtat. Në një të ardhme të afërt nuk pritet miratimi edhe i një premtimi tjetër parazgjedhor i LSDM-së, respektivisht blerja e stazhit nëse është e nevojshme për dalje në pension. Ministrja konfirmoi se para këtij ligji ka prioritete të tjera që duhet të realizohen. Sindikatat kërkojnë që politika të qëndrojë larg këtyre proceseve dhe të miratohen ligje të përshtatshme në favor të punëtorëve. Qëllimi është që të rinjtë të mos largohen nga vendi dhe të gjejnë punë dhe sigurojnë ekzistencën në Maqedoni.