Ministria e Arsimit dhe Shkencës thotë se ata janë të obliguar të mbajnë provimin e maturës shtetërore, se bojkoti i maturantëve është i pajustifikuar dhe është në dëm të tyre. Është e papërgjegjshme t’ua mohosh të drejtën atyre që kanë vendosur të vazhdojnë studimet në fakultet.
Nxënësit të cilët nuk planifikojnë të vazhdojnë në fakultet kanë zgjedhje të japin vetëm provimin e maturës shkollore dhe provimin profesional. Provimi i maturës shtetërore këtë vit do të jepet sipas një metodologjie të shkurtuar dhe të ndryshuar siç vendosi Ministria e Arsimit dhe Shkencës në fillim të vitit shkollor, ndërsa kështu ranë dakord maturantët dhe shoqatat e shkollave të mesme, mësuesit dhe prindërit, thuhet në kumtesën e MASH.
Kjo vjen pasi Unioni i nxënësve të shkollave të mesme dje pati takim në të cilin u vendos që të vazhdohet bojkoti i mësimit edhe nga e hëna. Përfaqësuesi i tyre Blendi Hodai u takua dje me një deputet të VMRO-DPMNE, anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsimin, nga i cili kërkoi mbështetjen e tyre për kërkesat e tyre dhe të njëjtën gjë e kanë kërkuar nga të gjithë deputetët.
Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme kërkon që në vend të katër provimeve, në maturën shtetërore të ketë vetëm dy provime, në gjuhën amtare dhe provimi i dytë të jetë lëndë zgjedhore.