Pakoja e pestë, Bytyqi: Qytetarëve do t’u shlyhet kamata

Qeveria nga mesi i javës që vjen do të publikojë pakon e pestë të masave ekonomike. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë se do të ketë qasje të re të ndihmesës, s’do ketë kartela pagesore, por 180 mijë qytetarëve do t’u shlyhet borxhet e interesit për obligimet e prapambetura me vite për shërbime komunale, pasi i kanë llogaritë e bllokuara.

Marketing

“Ne kemi qytetarë, familje që me vite të tëra kanë shuma të konsiderueshme të borxheve, por shuma bazë është tre deri pesë herë më e vogël se sa interesi që duhet të paguajnë tek kompanitë apo tek vetë shteti. Duke ia falur një pjesë të tillë mendojmë se është ndihma më e madhe që për momentin shteti mund t’ia jep çdo qytetari të RMV–së.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Bytyqi thotë se edhe me këtë pako do të vazhdojë mbështetja financiare e pagave për kompanitë e goditura nga kriza Kovid. Modeli do të definohet pas konsultimeve me odat ekonomike dhe punëdhënësit.

Gjithashtu parashikohet edhe shpërndarja e vauçerëve për turizëm dhe programe të tjera.

Zbatimi i pakos së pestë të masave financiare pritet të zbatohet me kalimin në kuvend të propozimeve, edhe pse sipas Bytyqit shqyrtohen mundësitë për zgjidhje që s’do kërkojnë shumë kohë për zbatim.

Njëkohësisht Fondi për Inovacion dërgoi ftesë publike kompanive për aplikim në zbatimin e teknologjive të gjelbra që do të shkakojnë zhvillim ekonomik. Kompanitë do të marrin mbështetje financiare nga shteti prej 2.5 deri në 10 milion denarë.

Marketing