Përforcohet fushata për regjistrimin e popullsisë! “Ti je më shumë se numër, merr pjesë”

Me banerë në ueb portalet po përforcohet fushata e Entit Shtetëror për Statistika. Por gjithashtu ka edhe video klipe, takime të drejtpërdrejta, porosi nga persona të famshëm, thirrje për regjistrim masiv. Çdo ditë e më shumë po përforcohet fushata për regjistrimin i cili filloi më 1 mars dhe do të zgjasë deri më 21 prill.

Marketing

“Fushata për Regjistrimin e popullsisë 2021 bazohet në Ligjin për regjistrim 2021, kapitulli XI neni 45, dhe Strategjia e komunikimit për regjistrimin 2021. Për organizimin dhe zbatimin e fushatës është angazhuar agjencia përmes furnizimit publik të shërbimeve – fushatë mediatike. Për këtë qëllim janë siguruar 3 623 058 denarë nga Buxheti për Regjistrim 2021”, thonë nga Enti Shtetëror për Statistikë.

Funksionarë nga radhët e LSDM-së para disa ditëve filluan fushatën për regjistrim. “Ti je më shumë se numër, merr pjesë”, me këtë porosi pushteti udhëheq fushatën për regjistrimin e diasporës. Kryeministri Zoran Zaev, ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministri për punë të brendshme, Oliver Spasovski dhe funksionarë të tjerë i ndryshuan kopertinat e tyre të Facebook-ut dhe tani edhe ata apelojnë që qytetarët të regjistrohen. Partneri i koalicionit qeveritar, BDI, në mënyrë intensive përmes videove dhe takimeve të drejtpërdrejta me diasporën apelon për regjistrim masiv të diasporës shqiptare.

Nga ana tjetër, funksionarë të VMRO-DPMNE-së në mënyra të ndryshme bëjnë rezistencë për regjistrimin. Aleksandër Pandov, thotë se regjistruesit do t’i përzë me shqelma, ndërsa deputeti Antonio Milloshovski thotë se do t’i pranojë vetëm nëse dëshmojnë se janë të vaksinuar.

“Si prindër i pesë fëmijëve të mitur, si bashkëshort dhe njeri i cili sipas Ligjit gjatë kohës së gjendjes së krizës dhe epidemisë, jam i obliguar të mbroj shëndetin e më të afërmve, shëndetin tim dhe të tjerëve, nuk do të pranoj regjistrues nëse i njëjti nuk më tregon librezë se është vaksinuar kundër Kovid-19. Shëndeti nuk mund të prolongohet, ndërsa regjistrimi po”, shkruan Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

“Të mos shoh regjistrues para derës sime, me shqelma do t’i përzë”, tha Aleksandër Pandov.

Nga Qeveria thonë se thirrja për bojkot të regjistrimit të popullsisë është vepër penale sipas nenit 387 të Kodit penal.

“Ai i cili do të organizojë të tjerët për rezistencë ose mos-dëgjueshmëri ndaj vendimeve ligjore ose masave të organeve shtetërore, do të dënohet me dënim në të holla ose dënim me burg deri në tre vjet”, theksojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Që kur ka filluar vetë-regjistrimi i diasporës së vendit, rreth 150 mijë persona e kanë shfrytëzuar mundësinë që të regjistrohen në aplikacionin elektronik.

 

Marketing