Basha me të rinjtë në Elbasan: E vetmja fushë ku jemi para është emigracioni i rinisë, në fokus ekonomia dhe rinia

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli për problemet e rinisë në vend, në një takim me të rinjtë në Elbasan.

Sipas Bashës, largimi i të rinjve është sfida me të cilën Partia Demokratike ka hartimin e programit që ka në qendër ekonominë dhe rininë. Ai shpjegoi se ky plan parashikon trajnimin DUAL për përgatitjen profesionale të studentëve.

“Është e pa pranueshme që emigracioni të rinjve të vendit tim të jetë 12 herë më lartë sesa e një vendi fqinj, sepse kjo tregon se qeveria e vendit tim ka 8 vite që nuk bën detyrat. Përkundrazi dështon në çdo rrafsh dhe në asnjë rrafsh më shumë sesa me rininë. Kjo është edhe sfida me të cilin kemi nisur hartimin e programit tonë që ka në qendër ekonominë dhe rininë. Kur flasim për rininë, kemi parasysh arsimin dhe punësimin e rinisë. Programi ynë ka zgjidhje konkrete dhe të realizueshme, jo tullumbace elektorale. Shumicën e këtyre zgjidhjeve faktikisht i kemi hartuar jo vetëm duke u dëgjuar ju, por edhe duke marrë vendimin tuaj“.

Marketing

Basha ndalet te përgatitja profesionale e studentëve në universitete. “Ta kalojmë arsimin e lartë në një praktikë shumë të suksesshme për Europën që sot  po e adopton edhe rajoni, po e adopton edhe Maqedonia, po e adopton edhe Kosova, edhe Serbia. E kam fjalën për trajtimin DUAL. E thënë më thjeshtë vendin që do të zërë një universitet ne përgatitjen profesionale qoftë për juristët, qoftë për inxhinierët e ndërtimit, qoftë për mjekët, qoftë për teknologjinë e informacionit. Praktika”.

Sipas tij, Partia Demokratike, ka bërë hapa konkretë për këtë plan, duke kontaktuar me Komisionin Europian. “Kjo do të thotë që duhet investuar në universitetet tona, duhet investim në infrastrukturë, duhet investim në përgatitjen e pedagogëve, trajnimin e tyre dhe për këtë ne kemi hedhur hapa konkretë. Jo vetëm kemi bërë planifikimet e duhura por  jemi vendosur në kontakt me Aleancën Europiane të Universiteteve. Jemi vendosur në kontakt me  Komisionin Europian të cilët përkrahin plotësisht programin tonë që universitete e Shqipërisë të aplikojnë këtë metodë të trajnimit DUAL. Kjo do t’ju përgatisë më mirë për tregun e punës. Vetë praktika gjatë universitetit dhe më pas  praktika pas përfundimit të studimeve ju jep mundësinë për një kontakt të përhershëm me sektorin privat”.

Kryedemokrati gjithashtu shprehu zotimin se me rritjen e pagave për infermierët dhe përmirësimi i kushteve të punës për mjekët do të bëjë të mundur që ata mos të largohen nga vendi.