Thuajse rastësisht, një grup prej tetë mësuesesh të shkollave të mesme krijuan një plan për të përdorur aftësitë teknologjike e organizatore për të ndihmuar të tjerët të vaksinohen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cristina Caicedo Smit njofton:
Ulur në stolat përreth fushës së futbollit të shkollës, ku disa prej tyre bënin orën e spanjishtes, grupi i vetë-quajtur “Gjuetaret e Vaksinave” po bën takimin e radhës, por për herë të parë fizikisht, jo përmes internetit.
Ato janë bashkuar për të ndihmuar të tjerët të vaksinohen kundër COVID-it.
“Ndihmova mësuesen që u bën piano fëmijëve. Ajo është në të 80-tat, jeton në Uashington dhe nuk po arrinte të prenotonte orarin. Kur e ndihmova e kuptova se doja të vazhdoja të ndihmoja edhe të tjerë. Në atë kohë shoqja ime Maisie Lynch më kërkoi ndihmë për të kontrolluar faqet elektronike të klinikave,” tregon mësuesja e spanjishtes Kathleen Haanley Bartels.
Ky grup mësuesesh e kuptoi se kishte plot njerëz që përmbushnin kriteret për t’u vaksinuar por nuk kishin arritur të rezervonin orarin në faqet e ndryshme eletronike.
“Pyeta dikë nëse mund të më ndihmonte të bëja rezervim për njerëz që kualifikoheshin për vaksinim të hershëm. Mora përgjigje pozitive. Që nga ajo kohë kjo nismë është zgjeruar. Zbuluam se kishte plot njerëz që kishin nevojë për ndihmë. Hapëm një llogari në Facebook dhe një faqe regjistrimi që ua dërgojmë njerëzve,” tregon mësuesja Maisie Miller Lynch.
Grupi “Gjuetaret e Vaksinave” thotë se për të siguruar orarin për vaksinim duhet të kesh pajisje elektronike si dhe qasje të shpejtë në internet.
“Faqja elektronike të jep vetëm pak sekonda për regjistrim. Nëse nuk arrin të futesh dikush tjetër ta zë atë orar të hapur për vaksinim,” thotë Maria Peterson, e cila jep mësim spanisht në shkollë të mesme.
Pasi rezervoi orare për vaksinim për qindra vetë, zonja Peterson kuptoi se vetëm një pjesë e popullatës së zonës po kërkonte ndihmë për vaksinim.
“Vumë re se grupi ishte i përbërë kryesisht nga të bardhë të klasës së mesme të sipërme. Me sa pamë, komuniteti afrikano-amerikan dhe latino-amerikan nuk po vaksinohej,” tregon zonja Peterson.
Anëtaret e nismës thonë se komunitetet pakicë kanë pikëpyetje për sigurinë e vaksinave.
“Njerëzit janë shumë të trembur pasi mund të mos jenë me dokumente të rregullta, pra janë imigrantë të paligjshëm. Por kjo s’përbën pengesë pasi në kushte pandemie qeveria do që të gjithë të vaksinohen,” thotë mësuesja Tania Pérez – Fuentes.
Megjithë këto sfida, grupi ka arritur të ndihmojnë 1,000 vetë të vaksinohen. Në llogarinë e tyre në Facebook ato zhvillojnë edhe diskutime dhe ndajnë informacion mbi vaksinat në shtetin e Merilandit.
Ato thonë se procesi u ka shërbyer të njohin më mirë komunitetin dhe janë mirënjohëse që patën rastin të ndihmojnë këta njerëz që i kanë mbështetur gjatë punës si mësuese.