Kandidatja për Lëvizjen Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, ishte sot në një lidhje live me emisionin “Breaking” në Top News, ku u shpreh se në qarkun e Fierit ka pasur shumë vota të pavlefshme që i takonin LSI-së
“Ka shumë vota të pavlefshme, të cilat duhet të rishikohen, pasi në fund të ditës mund të bëjnë diferencë në një mandat. Votat e pavlefshme janë aty dhe mund të shihet qartë se kujt parti politike i takojnë.
Në ish-komunën e Mbrostarit ka pasur mbi 20 vota të pavlefshme ku ishin për LSI-në apo kandidaten tonë. E kështu ka pasur në të gjithë qarkun. Këtë e prisnim dhe u përpoqëm që të sqaronim qytetarët. U përcaktua shumë vonë modeli i fletës së votimit. E gjitha ngeli në vullnetin e kandidatëve dhe strukturave të partisë për të mësuar qytetarët për mënyrën e votimit”, tha Kejdi.
Mehmetaj shtoi më pas se problemi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte dhe vazhdon të jetë shitblerja e votës.