Gjykata e Moskës kufizon veprimtaritë e fondacionit Navalny

MOSKË (AP) – Një gjykatë e Moskës vendosi të kufizojë aktivitetet e një organizate të themeluar nga udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny, që ndodhet në burg, në pritje të një vendimi nëse ajo duhet të shpallet e paligjshme si një grup ekstremist.

Vendimi i Gjykatës së qytetit të Moskës për Fondacionin Navalny në Luftën kundër Korrupsionit është një hap tjetër në goditjen gjithëpërfshirëse ndaj kritikut më të ashpër të Presidentit Vladimir Putin, aleatëve të tij dhe infrastrukturës së tij politike. Duke e etiketuar fondacionin dhe rrjetin e zyrave rajonale të Navalnit si grupe ekstremiste, autoritetet në mënyrë efektive do të nxirrnin si të jashtëligjshme aktivitetet e tyre, duke i ekspozuar anëtarët dhe mbështetësit e tyre ndaj burgimeve afatgjata. Një lëvizje e tillë do të ishte një goditje dëmtuese për ekipin e Navalnit.

Marketing

Ai ka qenë në burg që nga janari dhe shumë prej ndihmësve dhe bashkëpunëtorëve të tij u arrestuan ose përballen me akuza penale.

Të hënën, zyra e prokurorit lëshoi një vendim gjyqësor duke urdhëruar që zyrat e Navalnit në dhjetëra rajone ruse të ndërpresin aktivitetet e tyre, gjë që çoi në mbylljen e tyre. Vendimi i gjykatës të martën mbi fondacionin e ndalon atë të kryej disa aktivitete të caktuara. Aleatët e Navalnit argumentuan se kjo nuk do të ndikonte në punën e fondacionit.

Ivan Pavlov, një avokat pranë fondacionit, tha se vendimi i ndalon fondacionit të përdor median ose internetin për të shpërndarë informacione ose për të organizuar tubime dhe ngjarje publike, të angazhohet në zgjedhje ose të përdor depozita bankare.

Kufizime të tilla nuk do të ndërpresin punën e fondacionit, tha drejtori Ivan Zhdanov, duke argumentuar se shumica e kufizimeve nuk ndikojnë në veprimtaritë anti-korrupsion të organizatës.

Fondacioni i Navalnit u themelua 10 vjet më parë dhe ka pretenduar se zyrtarë të lartë të qeverisë janë të korruptuar, duke postuar video të shumta që kanë patur shikueshmëri të lartë në platformat e mediave sociale si YouTube.

Në një nga postimet e fundit, që ka marrë 116 milionë shikime, pretendohet se një pallat luksoz në bregdetin e Detit të Zi u ndërtua për Putinin përmes një skeme korrupsioni. Kremlini ka mohuar të ketë ndonjë lidhje të këtij pallati me Putinin.

Së bashku me fondacionin, Navalny krijoi një rrjet zyrash rajonale në dhjetëra zona në kohën kur po bënte fushatë për të garuar kundër Putinit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018. Atij iu ndalua që të kandidonte, por e mbajti infrastrukturën e ndërtuar.

Zyrat rajonale filluan hetimet e tyre të korrupsionit ndaj zyrtarëve lokalë dhe rekrutuan aktivistë, disa prej të cilëve më vonë kandiduan për poste publike. Këto zyra ishin gjithashtu të dobishme në organizimin e tubimeve mbarëkombëtare këtë vit në mbështetje të Navalnit.

Navalny u arrestua në janar pas kthimit të tij nga Gjermania, ku ai kaloi pesë muaj duke u rikuperuar nga një helmim me një agjent nervor, për të cilin ai fajëson Kremlinin – akuzat që zyrtarët rusë i hedhin poshtë.

Arrestimi i tij shkaktoi protesta në mbarë Rusinë që ishin shfaqja më e madhe e sfidës ndaj qeverisë në vite. Por kjo nuk i ndaloi autoritetet të nxirrnin në gjyq Navalnin për shkeljen e një dënimi me kusht ndërsa ishte në Gjermani. Dënimi me kushte rridhte nga një dënim përvetësimi i vitit 2014 që Navalni e ka quajtur të motivuar politikisht. Ai u dënua me 2½ vjet burg dhe muajin e kaluar u transferua në një ndërtesë të njohur për kushtet tejet të vështira.

Fondacioni dhe zyrat rajonale kanë qënë objektiv bastisjesh, gjobash dhe ndalimesh të aktivistëve edhe më parë, por aleatët e Navalnit thonë se peticioni për ekstremizëm e ka rritur presionin në një nivel të ri.

Mbetet e paqartë se çfarë provash ka zyra e prokurorit kundër organizatave të Navalnit sepse të gjitha procedurat gjyqësore po zhvillohen me dyer të mbyllura dhe disa prej dosjeve të çështjes janë klasifikuar si sekrete.