Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka ndjekur nga afër fillimin e procesit të vaksinimit të stafit të hoteleve në zonën e Llixhave, në Njësinë Administrative Tregan në Elbasan.
Në fjalën e tij Balla tha se në këtë proces do të përfshihen rreth 40 hotele, ku do të garantohet vaksinimi i mbi 800 punonjësve staf të tyre.
“Është një lajm i mirë për Elbasanin sepse ne e kemi kaluar prej ditës së djeshme numrin e 40 mijë të vaksinuarve dhe ky proces vaksinimi do të vazhdojë, jo vetëm në moshat +55, por po vazhdon edhe në shërbimin e hotelerisë në të gjithë zonës, me qëllimin që të garantojmë që të kemi sa më shumë vizitorë”, deklaroi Balla.
Numri dy i PS Balla gjatë fjalës tij ftoi të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen të vizitojnë Treganin e Elbasanit dhe të përfitojnë nga vetitë kuruese të ujërave termale që të fal ky vend.