Duke respektuar masat në fuqi anti Covid, me mbajtje të distancës fizike dhe maska, anëtarët e sindikatave në vend shënuan 1 majin – Ditën e Punës. Presioni mbi punëtorët, pagat e papaguara, mosrespektimi i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, janë vetëm disa nga shkeljet më të shpeshta që bëhen ndaj punëtorëve. Kryetari i LSM-së, Darko Dimovski, në fjalimin e tij para anëtarëve të sindikatës, deklaroi se kriza vetëm se e ka përshpejtuar nevojën për t’i siguruar prioritetet e punëtorëve si dhe vendin që e meritojnë ata me djersën e tyre në shoqëri.
“Kërkojmë miratimin e një ligji të ri për marrëdhëniet e punës me standardet evropiane, i cili do t’i përmbajë kontratat e punës me kohë të caktuar për një maksimum prej një viti, ndërsa të njëjtat automatikisht do të shndërrohen në kontrata të punës me kohë të pacaktuar pas këtij një viti. Së dyti, pushimi i lehonisë prej 12 muajsh. Së treti, KOVID-19 të jetë një sëmundje profesionale e paguar me kompensim 100 për qind duke e ndjekur shembullin e Sindikatës së Shëndetit dhe Sindikatës së Policisë së Maqedonisë, të cilat janë të bashkuara në LSM.”,- deklaroi kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.
Konfederata e Sindikatave të Lira vendosi madje disa pankarta para ndërtesës së Qeverisë. Shfaqën shqetësim për gjendjen ekonomike dhe sociale të punëtorëve, ndërsa kërkuan formimin e një fondi solidar që do të ndihmohen të gjithë punëtorët e dëmtuar.
“Punëtorët janë përballur me largime nga puna, mospagesë të pagave të cilat ishin të dedikuara nga shteti për ndihmë, ndërprerje joligjore të marrëdhënies së punës, zvogëlim joligjor të pagave, procedura disiplinore të paarsyeshme e kështu me radhë.”,- u tha nga Konfederata e Sindikatave të Lira.
Disa nga pasojat që ka shkaktuar pandemia e Covid-19 do të jenë evidente në të ardhmen, thekson Irena Siljanovska – kryetare e Seksionit për Rininë pranë LSM-së. Që nga fillimi i krizës shëndetësore në mars 2020, nga numri i përgjithshëm i personave që kanë humbur vendet e punës rreth 30 për qind e tyre janë të rinj të moshës nën 29 vjeçare.