Ushtria izraelite ka njoftuar se ka filluar një operacion tokësor ndaj Rripit të Gazës dhe se trupat izraelite kanë hyrë në Gaza, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Jonathan Conricust, për AA tha se ushtria ka filluar një operacion tokësor në Rripin e Gazës.
Conricust theksoi se trupat izraelite kanë filluar të hynë në Rripin e Gazës dhe se ai nuk mund të japë më shumë detaje rreth operacionit në këtë fazë.
Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, numri i të martirizuarve palestinezë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 103, përfshirë 27 fëmijë, ndërsa numri i të plagosurve është të paktën 580.
Më 10 maj, grupet e rezistencës palestineze i dhanë policisë izraelite një afat deri në orën 18:00 për t’u tërhequr nga lagja Sheikh Jarrah dhe kompleksi Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.
Forcat izraelite nuk u tërhoqën brenda afatit të përcaktuar, pas çka pasuan përplasje dhe sulme nga forcat izraelite në Gaza.
Tensionet janë rritur në lagjen Sheikh Jarrah që nga java e kaluar, pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze nga kjo lagje.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.