Sot, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi u takua me Ambasadorin e Republikës së Kazakistanit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Zhanibek Abdrashov.
Tema e takimit midis Ambasadorit Abdrashov dhe Ministrit Bekteshi ishte mbajtja e seancës së parë të Komisionit Maqedonas-Kazakistanez për Tregti dhe Bashkëpunimin Ekonomik, i cili është planifikuar për në fillim të korrikut të këtij viti.
Ministri Bekteshi theksoi se ekzistojnë mundësi të mëdha për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, kryesisht në fushën e energjetikës, minierave, mjedisit, bujqësisë, industrisë, investimeve, turizmit dhe transportit, të cilat do të diskutohen në seancën e parë plenare Maqedono- Kazakistaneze.
Sipas të dhënave dypalëshe të tregtisë, shkëmbimi i përgjithshëm tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Kazakistanit ka një vëllim relativisht të vogël dhe ka rënë në periudhën nga 2018 në 2020.
Ministri Bekteshi shprehu shpresë se në periudhën e ardhshme këto shifra do të ndryshojnë kryesisht si rezultat i përpjekjeve të të dy vendeve për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe natyrisht inicimit të aktiviteteve investuese midis Maqedonisë së Veriut dhe Kazakistanit.
Ministri Bekteshi theksoi se Qeveria i kushton vëmendje të madhe inkurajimit të investimeve të huaja dhe vendase. Prandaj, vendi është plotësisht i hapur për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe për të lidhur komunitetet e biznesit të të dy vendeve, nga të cilat do të përfitojnë si qytetarët ashtu edhe vendet.
Në takim u diskutua gjithashtu për investimet në sektorin e energjetikës, të cilat janë planifikuar të realizohen në periudhën e ardhshme, kryesisht në lidhjen e gazit në rajon, që do të thotë diversifikim i burimeve të energjisë për kompanitë dhe qytetarët.
Në takim u dakordua reciprokisht se ekziston një potencial i madh për zhvillimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Kazakistanit në fusha të rëndësishme për qytetarët e të dy vendeve.