Nën organizimin e “Institute for Leadership and Public Policy (ILPP)”, sot në Tetovë, së bashku me ambasadoren e ShBA- së znj. Kate Marie Byrnes, rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) z. Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti dhe kryetaren e Komunës së Tetovës znj. Teuta Arifi zhvilluam një panel diskutimi me fokus punësimin dhe punësueshmërin e të rinjve. Nga aspekti i institucionit që unë drejtoj, mund të them se një nga përparësitë kryesore në punën e Agjencisë së Punësimit të RMV- së është ulja e papunësisë së të rinjve dhe rritja e punësimit të të rinjve në mënyrë që ata të inkuadrohen sa më lehtë në tregun e punës. Kjo është arsyeja pse të rinjtë janë një nga grupet kryesore të fokusit në Planet Operative të Punësimit të zbatuara nga APRMV- ja, të cilat përmbajnë programe dhe masa aktive që çojnë në punësim të drejtpërdrejtë dhe masat që rrisin punësueshmërinë e të papunëve.
Në këtë panel diskutimi theksova se APRMV- ja si institucion, në fokus të veçantë ka të rinjtë me programet dhe masat që ajo i posedon, siç janë trajnime për të rinjë në fushën e IT, trajnime gjatë punës për një punëdhënës të njohur, trajnimet për kualifikime profesionale sipas kërkesës së punëdhënësve, trajnimet e profesioneve të kërkuara, trajnimet për shoferë të kategorisë C dhe D, masa e vetëpunësimit, programit mbështetës për krijimin e vendeve të reja të punës. Gjithashtu, theksova se, edhe pse shteti ynë nuk është pjesë e BE- së, Maqedonia e Veriut së bashku me APRMV- në zbaton projektin e Garancisë për të rinj, projekt ky i cili zbatohet edhe nga vendet anëtare të BE-së.
Qëllimi i projektit Garanci për të rinjtë është që të përmirësojë pozicionin e të rinjve në tregun e punës, kryesisht duke u’a lehtësuar kalimin nga arsimi në punësim. Kjo masë mundëson që çdo të ri deri në moshën 29 vjeç, në një periudhë prej 4 muajsh pas evidentimit të tij të parë në APRMV si i papunë, që të marrë një ofertë të përshtatshme punësimi, mundësi për të vazhduar arsimin ose për t’u përfshirë në një nga masat aktive të punësimit.