Spanja vë në gatishmëri spitalet, Holanda kufizon kafenetë

Spitali i Detit, në Barcelonë po organizon sërish turnet e stafit dhe po lëviz pacientët në repartet e tij për t’u përballur me rritjen e infeksioneve të COVID-19, kryesisht me variantin ‘Delta’.

Marketing

Ishujt Kanarie të Spanjës dhe rajoni mesdhetar i Valencias i kanë kërkuar qeverisë më shumë staf për t’i bërë ballë infeksioneve në rritje mes të rinjve të pavaksinuar, që po kapin në befasi sezonin turistik.

“Nuk ka arsye për të anuluar pushimet në Spanjë, por ka arsye për të qenë të kujdesshëm dhe mbi të gjitha të çojmë përpara vaksinimin, të shkojmë të vaksinohemi, pasi kjo është mënyra më e mirë për të shijuar pushimet në javët e ardhshme”, tha Arancha Gonzales Laya, ministre e Jashtme e Spanjës.

“Vaksinohuni! Qytetarët francezë që duan të shkojnë në Spanjë apo Portugali me pushime duhet të vaksinohen. Vaksina është rruga për në Spanjë”, u shpreh Jean Yves Le Drian, ministër i Jashtëm i Francës.

Ndërkohë, dy autobusë që transportonin 110 të infektuar u kthyen në Belgjikë nga Spanja, pas një rruge 14-orëshe. Të rinjtë ishin infektuar me coronavirus gjatë pushimeve në Spanjë dhe me shumë mundësi gjatë eventeve të jetës së natës.

Ndërsa në Holandë qeveria ka rivendosur kufizimet për klubet e natës, festivalet muzikore dhe restorantet, në përpjekje për të ndalur infektimet tek të rinjtë.

Masat përfshijnë mbylljen më herët të kafeneve dhe restoranteve dhe rikthimin e distancimit social në eventet sociale apo ato të argëtimit.