Komisioni Evropian (KE) në një deklaratë zyrtare ka bërë me dije se llogaritja e tij për “faturën e divorcit nga Brexit ishte përfundimtare”. Shifrat e publikuara nga Bashkimi Evropian (BE) muajin e kaluar tregojnë se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (MB) i detyrohet unionit 47.5 miliardë euro. Një zëdhënës i qeverisë së MB-së kundërshtoi shifrën e BE-së, duke thënë se fatura për largimin ishte në të vërtetë midis 41 dhe 45 miliardë eurove. Marrëveshja është pjesë e tërheqjes së MB-së pasi ajo votoi për t’u larguar nga BE. Zëdhënësi i KE-së, Balazs Ujvari, u shpreh se “raporti është përfundimtar dhe llogaritjet u bënë në përputhje me marrëveshjen e tërheqjes”
Ai në fjalën e tij u bazua në një dokument të llogarive vjetore të botuara nga BE më 30 qershor. Ujvari deklaroi se shuma ishte “47.5 miliardë euro, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të duhet të paguajë gjatë viteve të ardhshme”. Sidoqoftë, ai vuri në dukje pagesën e këstit të parë nga MB-ja, të cilin e cilësoi si “të paguar plotësisht dhe në kohë”. Qeveria Britanike është zotuar të paguajë pjesërisht faturën e saj për të kontribuar në fondet e pensionit, por nuk ka rënë dakord për llogaritjet mbi shumën përfundimtare.
Një zyrtar britanik tha se, “vlerësimi i qeverisë së MB-së për vlerën e shlyerjes financiare neto mbetet në intervalin qendror prej 35 deri 39 miliardë euro. “Ne nuk do ta njohim shifrën e cituar nga BE-ja për faturën e Brexit”, ka thënë ai. Zëdhënësi i MB-së tha se llogaritjet e BE-së ishin “një vlerësim i prodhuar nga unioni për qëllimet e veta të kontabilitetit të brendshëm”. “Për shembull, nuk pasqyron paratë që i detyrohen Mbretërisë së Bashkuar, e cila zvogëlon shumën që paguajmë”, pretendoi zyrtari. Boris Johnson po kërkon të “paraqesë së shpejti” shumat britanike në parlamentin e MB-së. Sidoqoftë, për KE-në, “gjithçka që duhej bërë ishte bërë dhe prandaj, nuk ka asnjë tregues se shifra e përgjithshme do të kontestohet”, përfundon zëdhënësi Balazs Ujvari.