I mbijetuari i aksidentit në Kroaci: Një grua poshtë meje kishte vdekur – më së rëndi ka qenë t’i shohësh të rinjtë

Në aksidentin e rëndë në Sllavonski Brod të Kroacisë, përkatësisht në autostradën A3, kanë humbur jetën 10 persona që ishin në autobusin nga Kosova, ku 44 tjerë janë dërguar me urgjencë në spital për tretman, prej të cilëve 15 me lëndime më të rënda.

Marketing

E në mesin e dhjetëra të mbijetuarve është edhe Ramë Gashi, gruaja e të cilit Kada është hospitalizuar në spitalin e Brodit për shkak të një lëndimi në kraharor, dhe pritet të futet në sallën e operacionit për një ndërhyrje kirurgjikale, transmeton Telegrafi.

“Udhëtimi ka qenë i mirë, madje edhe argëtues, kemi fjetur rreth orës 5 të mëngjesit, pasi që në katin e parë rinia tërë natën ka kënduar dhe argëtuar. Sapo fjeta dëgjova një zhurmë që më zgjoi menjëherë. Gjithçka ndodhi për pak sekonda. Kam parë vetën duke fluturuar lartë e poshtë, gjësendet e ndryshme binin mbi ne, ulëset janë thyer, duke ua shtypur duart pasagjerëve. Aty e kuptova se një grua që ishte poshtë meje kishte vdekur. Njerëzit kishin përfunduar të shtrirë mbi njëri-tjetrin, e më së rëndi e kam pasur kur pashë të rinjtë që kishin humbur jetën”, ka shtuar për Jutarnji List, Ramë Gashi që i mbijetoi aksidentit të tmerrshëm.

“Fillova ta kërkoj gruan që ishte ulur me një mikeshë, e kur e gjeta dola jashtë për të ndihmuar të tjerët, pasi që nuk kisha pësuar ndonjë lëndim serioz fizik”, ka shtuar Gashi.

Ai dhe gruaja e tij po udhëtonin nga Manhajmi i Gjermanisë, e destinacioni i tyre i fundit ishte Mitrovica. Ata ishin nisur për pushime.

“Nuk kam dashur të shkoj fare, por ajo më bindi që të udhëtojë me të me autobus. Unë isha për udhëtim me aeroplan, pasi që fluturimi nga Shtutgarti drejt Prishtinës, zgjat vetëm një orë e gjysmë, por ajo insistonte që të udhëtojmë me autobus. Kurrë nuk do ta harroj këtë moment”, ka thënë për fund Gashi.