Iniciativa për ‘Gostivarin që dua’, me peticion për qentë endacak!

Pas vizitës në strehimoren e qenve të pastrehë, Iniciativa qytetare për Gostivarin që dua, ka filluar një peticion për të kërkuar, siç thonë ata, pastrim të Gostivarit nga qentë endacak

Marketing

“73 qytetarë të Gostivarit janë sulmuar dhe kanë pësuar lëndime nga qentë endacak që nga viti 2018 – dhe këto janë vetëm disa nga incidentet të cilat janë raportuar në polici. Ne të gjithë ende e mbajmë mend 6 Nëntorin e vitit 2018, kur një vajzë 17 vjeçare u mbyt nga qentë! Dhe akoma nuk është bërë asgjë për t’i mbrojtur qytetarët e Gostivarit! Ne, qytetarët e Gostivarit, i bëjmë thirrje kryetarit të ardhshëm të Gostivarit dhe të gjithë anëtarëve të këshillit komunal të qytetit që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund këtij mankthi dhe për ta bërë Gostivarin përsëri të sigurt”, thonë nga kjo iniciativë.

Ne, vijon njoftimi, kërkojmë që menjëherë të zbatohet ky plan veprimi prej 5 pikash i cili ka për qëllim sigurinë e fëmijëve tanë:

1) EKIP: Një ekip për kapjen e qenve dhe për ndërhyrjen në raste emergjente
2) STREHIMORE: Të ndërtohet një strehimore e qenve jashtë qytetit
3) STERILIZIM: Sterilizimi i të gjithë qenve endacakë në Gostivar
4) EUTANIZIM: Eutanizimin e menjëhershëm të qenve endacakë agresivë
5) PASTRIM: Menaxhimi profesional i deponisë Rusino dhe menaxhimi i mbeturinave në qytet për të zvogëluar furnizimin me ushqim për qentë endacakë

“Regjistrohuni këtu për ta mbështetur peticionin tonë dhe për ta pastruar Gostivarin nga qentë endacak”, përfundon apeli.

Marketing