Polonia shpall gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin me Bjellorusinë

Presidenti polak, Andrzej Duda firmosi sot një dekret për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë në kufirin me Bjellorusinë, nga frika e një fluksi masiv emigrantësh dhe në pritje të një stërvitjeje ushtarake ruse, njoftoi zëdhënësi i tij.

Marketing

“Situata në kufi është e vështirë dhe e rrezikshme. Ne duhet të marrim vendime të tilla dhe të garantojmë sigurinë e Polonisë dhe BE -së”, tha zëdhënësi i Presidentit, Blazej Spychalski.

Sipas dekretit të nënshkruar nga presidenti dhe që hyn në fuqi sot në mesnatë, në 183 lokalitete në zonën kufitare, qasja e medieve në zonën në fjalë do të jetë rreptësisht e ndaluar dhe ajo e personave jorezidentë shumë e kufizuar.

Disa mijëra emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, kanë kaluar kufirin midis Bjellorusisë dhe Bashkimit Evropian, në Lituani, Letoni dhe Poloni në muajt e fundit, me BE-në që dyshon për një formë hakmarrjeje nga regjimi i Minskut përballë sanksioneve evropiane.