Holanda dhe Danimarka me fitore bindëse

Kombëtarja e Holandës rigjen buzëqeshjen nën drejtimin e Luis Van Gaal, pasi ka regjistruar një tjetër fitore të pastër 6-1, këtë herë përballë Turqisë, një rival direkt për një vend në Kupën e Botës “Katar 2022”. Rëzultatin e hapi Klasen para se Depaj të shënojë 3 gola radhazi. Listën e golashënuesve u plotësua nga Til dhe Malen, para se Under të shënojë golin e vetëm për Turqinë, në kohën shtesë.

Marketing

Po në të njëjtin grup, Norvegjia triumfoi me rezultatin 5-1 ndaj Gjibraltarit, falë tripletës së Haaland dhe golave të Thorstvedt e Sorloth, me nordikët që ashtu si Holanda, kanë grumbulluar nga 13 pikë deri tani dhe do të garojnë për një “fluturim direkt” për në Katar, ndërsa në të njëjtin grup, Mali i Zi nuk shkoi përtej barazimit pa gola ndaj Letonisë.

Reagon në momentin e duhur edhe Franca, që pas dy barazimeve radhazi, ia doli të triumfojë me rezultatin 2-0 ndaj Finlandës dhe të thellojë edhe më shumë shkëputjen në krye të grupit D me 12 pikë, 7 më shumë se ndjekëset më të afërta.

Griezman ishte heroi i “gjelave” në sfidën ndaj Finlandës, pasi shënoi nga një gol për çdo pjesë dhe u dhuroi tre pikët të tijve, ndërsa në ndeshjen tjetër të grupit, Bosnja & Hercegovina nuk shkoi dot përtej barazimit 2-2 ndaj Kazakistanit.

Danimarka vijon të dominojë në grupin F dhe triumfoi me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Izraelit, duke regjistruar fitoren e 6 në po kaq ndeshje, teksa mbetet favorite për t’u bërë skuadra e parë që do të marrë biletën për në “Katar 2022”.

Në të njëjtin grup, Skocia triumfi me rezultatin minimal 0-1 ndaj Austrisë, duke shuar shpresat e këtyre të fundit për një vend në Katar, ndërsa Ishujt Faroe fituan me shifrat 2-1 ndaj Moldavisë.

Mjaft interesante edhe gara në grupin H, me Rusinë që mposhti 2-0 Maltën dhe Kroacinë që triumfoi me shifrat 3-0 ndaj Sllovenisë, ndërsa të dy skuadrat kryesojnë grupin me nga 13 pikë dhe do të duelojnë gjithashtu për kreun deri në fund.

Në grupin A, Serbia nuk arrin t’i kundërpërgjigjet Portugalisë, pasi nuk shkoi dot përtej barazimit 1-1 në Irlandë dhe tani e sheh veten një hap pas luzitanëve, me dy pikë më pak në renditje.