Në suazat e Konferencës së pestë botërore të kryetarëve të parlamenteve që mbahet në Vjenë, Austri, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë. Kaha Kuçava.
Siç theksohet në kumtesën e Kuvendit, Xhaferi shprehu kënaqësi që pas vendosjes së marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë në vitin 2019, bashkëpunimi bilateral në nivelin e lartë lëviz në vijën përpjetë, dhe konfirmim për këtë është vizita e Presidentes së Gjeorgjisë, Sallome Zurabishvili në vendin tonë në maj të këtij viti. Ai foli për avancimin e bashkëpunimit ndër-parlamentar, duke theksuar se në të dy parlamentet janë formuar grupet e bashkëpunimit dhe miqësisë, a deputetët e të dy vendeve bashkëpunojnë me sukses edhe në suazat e asambleve ndërkombëtare parlamentare.
Xhaferi vlerësoi se Marrëveshja për lehtësimin e regjimit të vizave dhe e Memorandumit për bashkëpunim në fushën e kulturës janë me rëndësi të madhe për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, a bashkëpunimi për abrogimin e ndërsjellë të vizave pa dyshim se do të kontribuojë për një komunikim më të mirë dhe për përforcimin e miqësisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë.
Kryetari i Parlamentit të Gjeorgjisë, Kaha Kuçava, shprehu mirënjohje që Republika e Maqedonisë së Veriut i mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë në kuadër të kufijve të pranuar ndërkombëtarisht. Ai theksoi se dy vendet e ndajnë përcaktimin strategjik për anëtarësim në BE dhe NATO për mbështetjen në mënyrë të ndërsjellë në planin ndërkombëtar. Përvojat e Maqedonisë së Veriut në kuadër të proceseve integruese mund të jenë në dobi të madhe për Gjeorgjinë.
Njëherazi, Kuçava informoi se në vitin 2020 në Parlamentin e Gjeorgjisë është themeluar Qendra Parlamentare e Hulumtimit, në bazë të përvojave nga Instituti Parlamentar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai vlerësoi se vizitat reciproke të kryetarëve të dy parlamenteve në masë të madhe mund të thellojnë bashkëpunimin ndër-parlamentar dhe ti avancojnë marrëdhëniet bilaterale.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se në periudhën e ardhshme duhet të bëhen përpjekje të përbashkëta për intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e këmbimit tregtar. Ekziston një hapësirë e madhe edhe për avancimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, punëve të brendshme, arsimit, shkencës dhe teknologjisë.
Në fund të takimit, kryetarët Xhaferi dhe Kuçava shprehën gatishmëri për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy parlamenteve, si në suazat e asambleve parlamentare ndërkombëtare, ashtu edhe në nivelin bilateral, ndërmjet grupeve parlamentare të bashkëpunimit dhe komisioneve të Politikës së Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, theksohet në kumtesë.