Kryeministri Zoran Zaev pret vendimin e ekspertëve edhe për të të marrë vendimin në lidhje me dorëheqjet që kanë paraqitur ministri Venko Filipçe, bashkë me zëvendësministrin, Ilir Hasani, dhe drejtorët e spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe Artan Etemi. Ata vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre deri në pranimin e dorëheqjeve. Potencoi se nuk ka nevojë për dorëheqje të të gjithë ekzekutivit edhe pse pranoi se bëhet fjalë për një tragjedi të madhe që i ka prekur të gjithë.
“Unë nuk mendoj se e gjithë qeveria duhet të japë dorëheqjen. Filipçe po vjen në punë, derisa e gjithë puna të përfundojë ligjërisht dhe derisa të vijë një ministër i ri, të gjithë që dhanë dorëheqjen do t’i përmbushin obligimet e tyre. Hetimi do të ndikojë në mënyrën se si e marr vendimin.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Në zbatimin e projektit për ndërtimin e spitaleve modulare, ishte e angazhuar kompania “BRAKO”, kompani në pronësi të ish -zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev. Nga atje tashmë kanë deklaruar se kanë zbatuar të gjitha standardet e kërkuara.