Forumi ekonomik dhe financiar Shkup – FEFSH 2021: Rimëkëmbja ekonomike dhe përshpejtimi i rritjes pas Kovidit

Ministria e Financave në fillim të këtij muaji organizoi Konferencën e parë vjetore me temë “Rimëkëmbja ekonomike dhe rritja pas Kovidit” në kuadër të Forumit ekonomik dhe financiar (Skopje Economic and Financial Forum 2021). Ishte me të vërtetë domethënëse t’i dëgjosh në një vend përvojat dhe pikëpamjet e zyrtarëve të lartë qeveritarë nga rajoni, por edhe përfaqësuesve të institucioneve financiare ndërkombëtare lidhur me temën që na shqetëson të gjithëve dhe së bashku duhet të dalim me fitore. Propozimet dhe porositë drejtuar Konferencës kanë rëndësi të veçantë në krijimin e politikave dhe masave të ardhshme, të cilat i referohen arritjes së rezultateve më të mira në realizimin e qëllimeve tona – rimëkëmbje ekonomike dhe rritje gjithëpërfshirëse, e përshpejtuar dhe e gjelbër.
Perspektivat globale dhe rajonale lidhur me rimëkëmbjen dhe rritjen pas pandemisë, menaxhimi i mirë dhe pjesëmarrja e qytetarëve, përkrahja përkatëse në kohë dhe e mirësynuar për përfshirje sociale, dixhitalizimi, ekonomia e gjelbër, si dhe krijimi i kapitalit njerëzor ishin pjesë e diskutimeve në Konferencën e parë vjetore. Ajo është pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Financave për rritjen e transparencës dhe për rritjen e përfshirjes. Qëllimi ynë është që në të ardhmen kjo konferencë të transformohet në një traditë respektabile dhe të njihet në korniza rajonale dhe evropiane.
Porosia ime ishte se jemi këtu që të themi se: “Kovid-i nuk do të na mposhtë. Ne jemi pjesë e aleancës globale për luftë kundër virusit të koronës dhe jemi këtu që të diskutojmë jo vetëm për rimëkëmbjen, por edhe më shumë se aq, për rritjen dhe zhvillimin, për rritjen më të mirë dhe më të shpejtë, për zhvillimin e zgjuar dhe të gjelbër.”
Ndaj pandemisë që e përfshiu botën, ku ndikim të madh kishte edhe mbi vendin tonë, reaguam me masa për luftë kundër COVID-it, për mbrojtjen e jetës dhe shpëtimin e ekonomisë. Prandaj, vitin e kaluar ofruam stimul fiskal prej 11% të BPV-së përmes masave të ndryshme për sektorin e shëndetësisë, kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, mbrojtjen e vendeve të punës, ndihmën e bizneseve për të tejkaluar krizën. Kështu, arritëm që të zbusim rënien e BPV-së për 4.2 pikë përqindjeje, e cila përndryshe do të arrinte 8.7%. Sipas raportit zyrtar nga Enti shtetëror për statistikë, BPV-ja lidhur me tremujorin e dytë u rrit prej 13.1% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe kështu për herë të parë rritja arriti mbi zero në zonë pozitive edhe atë pas katër tremujorëve radhazi me norma negative të rritjes së BPV-së, me ç’rast sa i përket aspektit metodologjik dhe zyrtar, kriza ekonomike ka përfunduar.
Për këtë vit parashikuam rritje prej 4.1%, ndërsa për pesë vitet e ardhshme rritje mesatare vjetore prej 5.4%. Duke ndjekur trendet pozitive ekonomike gjatë vitit, përfshirë edhe tremujorin e tretë, sigurisht që do të kemi projeksione të reja për rritje më të lartë të BPV-së për vitin 2021. Me qëllim që të sigurohemi, që kjo të mos mbesë thjesht një dëshirë, përgatitëm Planin për rimëkëmbjen ekonomike dhe përshpejtimin e rritjes, njëkohësisht duke ruajtur stabilitetin fiskal përmes mobilizimit të kapitalit të sektorit privat, si plotësim i mjeteve të parapara në Buxhet. Gjithashtu, jemi fokusuar mbi konsolidimin fiskal afatmesëm, përmes zvogëlimit të deficitit buxhetor dhe borxhit publik dhe duke i ulur ato në nivel prej 3% dhe 60% respektivisht, si pjesë të BPV-së. Për hir të së vërtetës, për shkak të thellësisë së krizës së pandemisë, Bashkimi Evropian e aktivizoi klauzolën e përgjithshme përjashtuese – (“general escape clause”) nga rregullat fiskale dhe vendosi pezullim të përkohshëm të kritereve të Mastrihtit.
Nuk munguan edhe porositë përkrahëse sa i përket politikave që i zbatojmë nga ana e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare të pranishme në Konferencë. Mjedisi makroekonomik ndryshon. Shohim stabilitet politik, integrim rajonal dhe implementim më të mirë të sundimit të ligjit, që do të mundësojë investitorët ta zbulojnë dhe rizbulojnë vendin. Përkrahja e projekteve infrastrukturore dhe integrimi i vendit në BE për investime të reja në sektorin e energjetikës, eknomisë së gjelbër dhe dixhitalizimit u vunë në dukje prej përfaqësuesve të BERZH, BEI, BB…
Të gjitha njohuritë e vlefshme që u shkëmbyen gjatë diskutimit dyditor në gjashtë panelet janë kontribut i rëndësishëm në fazën e hartimit të politikave për vitin e ardhshëm, si dhe në planin afatgjatë, ndërsa disa prej tyre do t’i përmbledh në vazhdim.

Marketing

Pandemia si një sfidë e përbashkët, leksione dhe – Rimëkëmbja pritet në vitin 2022

Në nivel global, rimëkëmbja ndryshon nga vendi në vend, por gjithashtu, ndryshon edhe nga sektori në sektor dhe varet nga kondicioni i secilit sektor, masat për menaxhim me krizën, veçanërisht ato që i referohen përkrahjes fiskale si dhe rritjes ekonomike të vendeve, modelit të tyre të zhvillimit dhe hapësirës fiskale të stimujve.
Rimëkëmbje më serioze pritet në vitin 2022, por ende ekzistojnë sfida globale si ndryshimet klimatike, pabarazia sociale, pabarazia e qasjes në vaksina dhe sfida të tjera të sigurisë. Por, sfidat që na presin dhe që janë të rëndësishme dhe të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje janë rritja e qëndrueshme, burimet e rritjes, faktorët e rritjes, si dhe modeli i rritjes. Në këtë drejtim u përpiluan këto dokumente – Plani për financimin e rimëkëmbjes ekonomike dhe rritjen e përshpejtuar, Programi i reformave ekonomike, Strategjia fiskale, Strategjia për menaxhim me borxhin publik, Strategjia për reformat e sistemit tatimor, zhvillimin e decentralizimit fiskal, si dhe Plani aksional për luftimin e ekonomisë joformale.
Politikat makroekonomike dhe financat publike në periudhën pas pandemisë, me fokus mbi rritjen afatmesme dhe konsolidimin fiskal

Në periudhën pas pandemisë, qëllimi ynë i përbashkët është që të fokusohemi në të njëjtën kohë mbi rritjen afatmesme dhe konsolidimin fiskal.
Planet kanë tituj të ndryshëm, por në thelb ato kanë shumë qëllime të përbashkëta. Të tilla si: ngritja e kapacitetit të sistemit të shëndetësisë dhe shkallës së imunizimit, sepse shkalla më e lartë e vaksinimit të popullatës nënkupton shkallë më të lartë të rimëkëmbjes ekonomike. Reformat strukturore dhe fiskale për krijimin e politikës fiskale kredibile e cila do të sigurojë konsolidim fiskal dhe stabilizim të borxhit publik, si dhe sigurim të rezervave fiskale (baferë) për sfidat dhe krizat e ardhshme. Nevojitet që të rriten investimet kapitale në sistemin e shëndetësisë, instrukturën dhe rritjen e gjelbër të shoqëruar me mekaniza të kontrollit, të cilat do të rrisin efektivitetin dhe efikasitetin e projekteve të investimeve, investime në kapitalin njerëzor, instrumente të reja për financimin e rritjes, reforma strukturore së bashku me sundimin e ligjit, ndërtimin e konsensusit politik për këtë axhendë dhe vazhdim të bashkëpunimit rajonal.

“Qeverisja e mire dhe kohezioni social” – Nevojitet koncept kalimtar për menaxhim të mirë dhe qasje të re ndaj kohezionit social

Pandemia imponoi mënyrë të re lidhur me menaxhimin e shoqërisë si rezultat nga prioritetet shëndetësore. Shumica e pjesëmarrësve ranë dakord se nevojitet koncept kalimtar për menaxhim të mirë dhe qasje të re ndaj kohezionit social, si dhe rol më të madh të teknologjive moderne.
Çështje të tjera të rëndësishme, të cilat i referohen menaxhimit të mirë dhe kohezionit social janë në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, sistemin efikas gjyqësor, nivelin e lartë të koordinimit të shoqërisë për ballafaqim me krizën e shkaktuar nga pandemia, nevojën për vaksinim për të parandaluar goditjen mbi zhvillimet ekonomike me rritje të vazhdueshme të varfërisë, paralelisht me investimet në kapitalin njerëzor.
Si thelb i menaxhimit të mirë dhe kohezionit social është gjithashtu edhe nevoja për rimëkëmbje të qëndrueshme, duke përfshirë zhvillimin e gjelbër dhe axhendën dixhitale dhe kujdesin për sigurimin e metëjshëm të shërbimeve publike, punësimit dhe drejtësisë.

Investime publike dhe private dhe konkurrencë – Përkrahje dhe partneritet për rritjen dhe zhvillimin

Ekzistojnë dallime sa i përket sfidave me të cilat ballafaqohen kompanitë në varësi të madhësisë së tyre. Nevoja për përkrahje të vazhdueshme të qeverisë për ato biznese që janë prekur drejtpërdrejt nga pandemia ekziston ende me qëllim që të ruhen vendet e punës dhe të ruhet cilësia e jetesës së qytetarëve.

Kompanitë ende mbështeten në drejtim të përkrahjes financiare dhe jofinanciare, e cila përfshin luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, zvogëlimin e ekonomisë joformale me qëllim të krijimit të klimës së mirë të biznesit. Nga ana tjetër, bizneset të cilat tashmë i kanë bërë planet sa i përket investimeve të ardhshme në mënyrë që ta rrisin konkurrencën e tyre, presin tatime të ulëta, transparencë më të mirë, administratë publike efikase dhe përmbushje në kohë të detyrimeve qeveritare ndaj tyre.

Kriza aktuale është mundësi që duhet të shfrytëzohet për ndryshime strukturore, të cilat çojnë në ekonomi të gjelbër dhe përkrahje të investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë, siç janë fotovoltaikët, turbinat me erë, potenciali i pashfrytëzuar hidrik.

Rritja e zgjuar dhe e gjelbër e ekonomisë shtytësi kryesor i rimëkëmbjes

Rimëkëmbja pas pandemisë nuk mund të bazohet mbi modelin aktual të të bërit biznes. Rimëkëmbja ekonomike, kryesisht, do të varet nga tri shtylla – ekonomia dixhitale, ekonomia e gjelbër dhe mundësitë e barabarta për të gjithë, të cilët kanë nevojë për investime të mëdha nga ana e shtetit, pushteteve lokale, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe sektorit privat.
Në këtë drejtim, në dispozicion janë mjete nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) në vlerë prej 1.7 miliardë eurove mbi veprimin klimatik dhe investimet e qëndrueshme në fushën e mjedisit jetësor, si dhe Plani gjithëpërfshirës i investimeve për Ballkanin Perëndimor 2021-2027, i cili ka në dispozicion 9 miliardë euro për veprimin klimatik, dekarbonizimin, ekonominë qarkore, mbrojtjen dhe ripërtëritjen e burimeve natyrore, zvogëlimin e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës, si dhe sistemet e qëndrueshme të ushqimit dhe zonat rurale.

Investime në kapitalin njerëzor për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe jetë më cilësore

Investimet në kapitalin njerëzor ofrojnë aftësi dhe njohuri më të mira dhe relevante dhe ndikojnë mbi përmirësimin e produktivitetit dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, duke ndikuar në të njëjtën kohë mbi zvogëlimin e varfërisë dhe pabarazisë.

Zhvillimi i kapitalit njerëzor kërkon shumë kohë dhe rezultatet nuk vërehen shpejt, kërkon reforma dhe vendime më të guximshme që nuk ndërmerren lehtë, si dhe vazhdimësi. Një nga elementet kryesore është Strategjia e zhvillimit të kapitalit njerëzor, e cila është e orientuar në mënyrë afatgjate e bazuar mbi fakte dhe argumente, reale dhe e matshme.

Platformë për ide, debat dhe politika për rritje dhe zhvillim

Nga kjo konferencë morëm udhëzime, përgjigje rreth pyetjeve të rëndësishme, si dhe u dërguan porosi domethënëse që do të jenë bazë në krijimin e politikave në periudhën e ardhshme. Pas konferencës është e rëndësishme që të përqendrohemi jo vetëm mbi politikat të cilat do t’i japin rritjes një shtysë të fortë sa i përket rimëkëmbjes dhe përshpejtimit, por edhe mbi rezistencën e ekonomisë sonë në kontekst të sfidave të reja. Mbetemi të hapur përmes “Forumit ekonomik dhe financiar Shkup”, i cili shpresojmë të shndërrohet në platforme, përmes së cilës politikëbërësit, përfaqësuesit politikë, partnerët ndërkombëtarë zhvillimorë, shoqëria civile, akademikët, ekspertët dhe të gjitha palët e interesuara do të shkëmbejnë mendime, do të inicojnë ide dhe iniciativa për tema të rëndësishme dhe domethënëse në fushën e ekonomisë dhe financave që janë me rëndësi nacionale dhe rajonale.

Fatmir Besimi, ministër i financave

Marketing