Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet ekonomike, Fatmir Bytyqi, në një paraqitje për “Slobodna TV”, ka folur në lidhje me çmimin e energjisë elektrike në vend.
Ai tha se deklarata se çmimi i energjisë elektrike do të rritet pas zgjedhjeve lokale është një deklaratë krejtësisht e pasaktë, duke shtuar parasysh se çmimi rregullohet nga Komisioni Rregullator i Energjisë një herë në vit, dhe ai çmim është miratuar tashmë në qershor 2021.
“Tani po shohim përfitimet e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Kur kemi një treg të liberalizuar, konkurrenca rritet, por ka edhe rrezik nga lëvizjet e mundshme në nivel global. Kjo po ndodh tani. Të gjithë operatorët që hynë në këtë treg energjie, për të shpërndarë energji elektrike tek konsumatorë të caktuar, e dinin që ata po ndërmerrnin një rrezik në tregun e liberalizuar”.
“Në një periudhë të caktuar ata blejnë energji elektrike me çmim më të ulët dhe e shesin për çmim më të lartë, me një diferencë fitimi, por në një kohë tjetër çmimi mund të rritet aq shumë sa të ndodhë humbje. Këto janë lëvizjet e tregut. Deklarata, kushdo që e tha, se pas zgjedhjeve do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike është e keqe”, tha Bytyqi.
Ai gjithashtu theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përputhje me obligimet e ndërmarra ndërkombëtare dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve ka hyrë në proces të kalimit të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet konvencionale që ndotin në prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, dhe ku gazi natyror do të përdoret gjithashtu si lëndë djegëse kalimtare.