Makedonski Telekom shënon: 25 vjet të telefonisë celulare në Maqedoninë e Veriut
Nga ALO-ja e parë deri tek gjeneratat më të reja të teknologjive
Kur më 14 tetor 1996 në Maqedoni ishte vendosur teknoligjia 2G dhe rrjeti i parë celular në vend, ai kishte kapacitet për t’i shërbyer 25.000 abonues dhe siguronte vetëm shërbime zanore. Sot, kur e mbarë bota po përgatitet për implementimin e gjeneratës së fundit të teknologjisë celulare 5G, operatori i parë celular në vend Makedonski Telekom është i përgatitur për sfidën.
Telefonat e parë celularë
Në vitin 1996, telefonat celularë u përdorën gjerësisht dhe bënë revolucion të vërtetë në komunikim dhe lidhje. Me instalimin e 16 stacioneve bazë me një kapacitet për 25.000 përdorues, operatori i atëhershëm celular MobiMak për herë të parë u mundësoi përdoruesve të vendit që të bëjnë një telefonatë në lëvizje dhe të komunikojnë përmes pajisjes së tyre ndërsa janë larg shtëpisë dhe zyrës.
Me kalimin e kohës, sinjalet e rrjetit u bënë më të përhapura dhe më të qasshme, ndërsa telefonat u bënë më të vegjël dhe më të shpejtë. Evolucioni marramendës i shpejtë i rrjetit celular e paralajmëroi ardhjen e tij – pasi u promovua standardi 2G, më asgjë nuk ishte e njëjtë.
Pak para mijëvjeçarit të ri, numri i stacioneve bazë në territorin e Maqedonisë u rrit dhe kapaciteti për shërbimin ndaj klientit u zgjerua në 70.000. Zhvillimi i shpejtë i rrjetit të atëhershëm MobiMak tashmë vitin e ardhshëm ofroi shërbim për 170,000 përdorues, dhe mbulimin e 80% të vendit. Në të njëjtin vit, u promovua teknologjia GPRS, e cila për herë të parë u siguroi abonuesve në Maqedoni shërbime të të dhënave me shpejtësi deri në 48 Kbit / s.
Zgjerimi i rrjetit celular
Me kalimin drejt viteve 2000, u bë e qartë se teknologjitë celulare do të shënonin të ardhmen tonë. Për ditëlindjen e pestë, operatori i parë i Maqedonisë përsëri e përforcoi infrastrukturën e rrjetit dhe mbuloi 90% të popullsisë dhe ishte në gjendje t’u shërbente 270.000 abonuesve. Ndërkohë, kompania u bë pjesë e Grupit DojçeTelekom, u ribrendua si T- Mobile Maqedoni dhe u bë operatori i parë që e prezantoi teknologjinë EDGE që mundësoi shërbime më të shpejta të të dhënave.
Revolucioni tjetër i madh i rrjetit celular ndodhi në vitin 2009, kur T-Mobile Maqedoni për herë të parë e zbatoi standardin e ri të rrjetit 3G. Shpejtësia filloi të matet në Mbit/s, ngarkimi dhe shkarkimi i videove u bë më i lehtë, dhe rrjetet sociale sapo kishin filluar të rriteshin. U bë e qartë se abonuesit po reagonin pozitivisht ndaj teknologjive të reja, interesi për to ishte rritur dhe potenciali për zhvillimin e rrjetit celular ishte hapur që tregonte një perspektivë të re mbi atë që do të ndodhte.
Pionerë në etapën e re të teknologjive
Me prezantimin e standardit 4G (LTE), ne me të vërtetë ndjemë se si ishte të “jetosh në të ardhmen”. Duke filluar nga tetori 2013, abonuesit e Makedonski Telekomit kanë mundur të përdorin internetin celular me shpejtësi deri në 150 Mbit/s dhe shërbime të bazuara në këtë teknologji të re. Së fundi, rrjeti celular mori funksionalitete që mundësuan që telefonat inteligjentë të bëhen pjesë integrale e jetës sonë të përditshme, një mjet për punë, komunikim dhe argëtim. Vetëm dy vjet më vonë, 4G + u zhvillua dhe mundësoi shpejtësi edhe më të larta, të cilat në 2015 u dyfishuan. Deri më sot, teknologjia 4G është standardi më i përdorur i rrjetit. Ajo siguron një sërë funksionalitetesh që vetëm 10-15 vjet më parë as që mund t’i imagjinonim.
Përgatitje për teknologjinë e re 5G
Por bota po ecën përpara, dhe teknologjitë e komunikimit celular po zhvillohen vazhdimisht me ritëm shumë të shpejtë. Në vitin 2018, Telekom ishte operatori i parë që e zabtoi demon e parë 5G në Maqedoni dhe mati shpejtësi mbi katër herë më të larta se shpejtësitë e rrjetit 4G. Vitin pasues, Makedonski Telekom e krijoi rrjetin e parë të testimit 5G në Shkup dhe Ohër, i cili mundësoi testimin e kësaj teknologjie në kushte reale dhe mati shpejtësinë e transmetimit gigabit.
Këtë vit, rrjeti i Telekomit po modernizohet në të gjithë territorin, gjë që krijon kushte reale për futjen e teknologjive më të fundit në komunikimet celulare – gjenerata 5G, e cila do të zbatohet kur të ketë parakushte për këtë.
Për 25 vjet pas krijimit të rrjetit të parë celular në vend, ne nuk mund të mos pyesim veten se sa teknologjia celulare e ka ndryshuar mënyrën e komunikimit dhe sa teknologjia e re 5G që është në pragun e derës do të ndryshojë të gjithë shoqërinë tonë dhe mënyrën se si jetojmë.