Është miratuar, nga rregullatori i barnave në Mbretërinë e Bashkuar, pilula e parë e krijuar për trajtimin e Covid-19.
Tableta e Molnupiravir, do t’u jepet dy herë në ditë pacientëve të diagnostikuar me virusin, shkruan BBC.
Në provat klinike, pilula, e krijuar fillimisht për të trajtuar gripin, zvogëlon rrezikun e shtrimit në spital ose vdekjes me rreth 50%.
Sekretari i Shëndetësisë, Sajid Javid, tha se trajtimi ishte një “ndryshues i lojës” për më të dobëtit dhe personat me imunitet të ulët.
Në një deklaratë ai tha: “Sot është një ditë historike për vendin tonë, pasi Britania e Madhe është tashmë vendi i parë në botë që miraton një antiviral që mund të merret në shtëpi për Covid-in”.
Trajtimi i parë oral
Molnupiravir, i zhvilluar nga kompanitë amerikane të barnave Merck, Sharp dhe Dohme (MSD) dhe Ridgeback Biotherapeutics, është ilaçi i parë antiviral oral për Covid-19, i cili mund të merret si pilulë në vend që të injektohet ose jepet intravenoz.
Rregullatori i Mbretërisë së Bashkuar, MHRA, tha se tableta ishte autorizuar për përdorim te njerëzit që kanë Covid-19 të butë deri në mesatar dhe të paktën me një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve të rënda si obeziteti, pleqëria, diabeti ose sëmundjet e zemrës.
Shefi ekzekutiv i organizatës, June Raine, e përshkroi trajtimin si “një tjetër terapeutik për të shtuar armaturën tonë kundër Covid-19“./