Çka u diskutua në takimin Osmani-Varhelyi?

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel, pati takim me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Marketing

Në takim u diskutua perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, marrëdhëniet e mira fqinjësore, nismat rajonale dhe pritshmëritë për periudhën që vijon, në prag të Këshillave të dhjetorit, si mundësi për hap pozitiv në fazën e ardhshme në procesin tonë euro-integrues, njoftojnë nga MPJ.

Bashkëbiseduesit iu referuan gjetjeve të Raportit të këtij viti të Komisionit Evropian, përmes së cilit u përçua sinjal i fuqishëm dhe i qartë se kredibiliteti i politikës së zgjerimit vazhdon të mbetet investim kyç gjeostrategjik në paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik në mbarë Evropën. Në takim u rikonfirmuan vlerësimet pozitive të KE-së për vendin për të gjithë parametrat, me çka vjen edhe thirrja e pahamendshme ndaj vendeve anëtare, pa prolongim të mëtejmë, të mbarojnë diskutimet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, e cila duhet të mbahet sa më shpejtë që është e mundur.

Gjatë takimit u bisedua edhe për zhvillimet e fundit të brendshme politike në vend, por edhe për përpjekjet për tejkalimin e dallimeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si prioritet për ta zhbllokuar rrugën tonë drejt BE-së.

“Qeveria mbetet fuqishëm e përkushtuar në Agjendën e reformave dhe integrimit evropian, me impuls dhe proaktivitet shtesë në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si një vlerë e shtuar kyçe në zhvillimin e stabilitetit rajonal. Politika e zgjerimit është mjeti më i mirë për nxitjen e reformave komplekse dhe konsolidimit demokratik, ndërsa fuqia e saj transformuese bazohet në kushtëzimin dhe vlerësimin objektiv të rezultateve në procesin përmes të cilit pasqyrohen vlerat e Bashkimit Evropian”, tha Osmani.

Gjatë takimit, Komisioneri, Varhelyi informoi për përpjekjet e Komisionit Evropian për ta ripërtrirë momentumin evropian në rajon, por edhe për zbatimin e Planit të Investimeve Ekonomike, i cili paraqet mbështetje të fortë të BE-së për forcimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, avancim të bashkëpunimit rajonal dhe përforcimin e lidhjeve me BE-në.

Osmani gjatë ditës do të takohet edhe me Andreas Schieder, kryesues i Komisionit të Përbashkët Parlamentar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian; me Ilhan Kuçuk, Raportuesin për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian si dhe me Këshilltarët për politikë të jashtme të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe të Presidentes së Komisionit Evropian, Von der Layen.