Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski në profilin e tij në Facebook ka reaguar pas deklaratave të sekretarit të Përgjithshëm të LSDM-së, Ljupço Nikollovski në TV21. Dimitrievski thotë se asnjëherë nuk është larguar nga LSDM-ja dhe si i tillë, nuk ka nevojë që të kthehet në LSDM, ndërkaq shton se LSDM-ja ka nevojë për reforma.
“Askush nuk mund të më kthejë në partinë nga e cila nuk jam larguar kurrë dhe sipas statutit të LSDM-së sime, jam ende anëtar dhe në të njëjtën kohë pres me padurim mbledhjen e Komunitetit Qendror, ku do të diskutojmë statusin tim, por edhe politikat humbëse të një pjese të udhëheqësisë të cilët na çuan në këtë gjendje” shkruan mes tjerash Dimitrievski.
Ndryshe, Ljupço Nikollovski në paraqitjen e tij të djeshme në “21Analiza” në TV21 tha se LSDM-ja do të përpiqet të kthej në parti Maksim Dimitrievskin, i cili mandatin e fundit si kryetar të Komunës së Kumanovës e fitoi si kandidat i pavarur.