“Alternativa” vendos nëse do të hyjë në qeveri

Partia opozitare “Alternativa” për sot ka caktuar seancën e Kryesisë Qendrore ku duhet të merret vendim nëse do të pranojnë ftesën e Zaevit ose do të mbeten në opozitë.

Marketing

Anëtari dhe deputeti i “Alternativës”, Skender Rexhepi, deklaroi për Agjencinë Informative Maqedonase se të premten në mbrëmje anëtarët e Kryesisë Qendrore duhet t’i japin orientim Kuvendit Qendror, organit më të lartë të partisë dhe do të vendosë nëse do të bëhen pjesë e Qeverisë dhe e shumicës parlamentare apo do të mbeten pjesë e bllokut opozitar.

“Besoj se në një dialog do të përballemi me të gjitha argumentet “për” dhe “kundër” dhe se do të merret një vendim i duhur.”,- thotë Rexhepi.

Sipas tij, nëse “Alternativa” vendos të bëhet pjesë e Qeverisë, kusht duhet të jetë prioriteti i programit të partisë para pozitave të pushtetit.

Ftesa për pjesëmarrje në Qeveri u zyrtarizua javën e kaluar në një takim mes kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe kryetarit të partisë “Alternativa”, Afrim Gashi. Nëse “Alternativa” bëhet pjesë e Qeverisë, ky vendim do të rrisë edhe shumicën parlamentare me katër deputetë.