Prodhuesit e qeseve plastike kërkojnë anulim të ligjit

Një ditë pas hyrjes në fuqi të legjislacionit të ri, me të cilin çmimi i qeseve u rrit në 15 denarë, grupi i prodhuesve dhe përpunuesve kërkon shtyrje të plotë të aplikimit.

Marketing

Ata thonë se rritja drastike dhe e përnjëhershme e çmimit të qeseve plastike ka dëmtuar rëndë biznesin dhe po rrezikon edhe shkurtime dhe humbje të vendeve të punës. Aleksandar Borisovski nga Grupacioni i Prodhuesve dhe Përpunuesve të Masave Plastike pranë Lidhjes së Odave Ekonomike thotë se shumë porosi të mëdha janë anuluar, ndërsa kalimi në prodhimin e qeseve biodegraduese kërkon investime milionëshe.

“Tashmë na i kanë anuluar gjithë porositë e mëdha. Po humbim mbi 90% të prodhimtarisë. Tashmë ju kemi dhënë paralajmërim të punësuarve se do t’i pushojmë nga puna. Edhe po të duam të prodhojmë vetëm qese biodegraduese nuk mundemi sepse nuk e kemi materialin e nevojshëm por edhe makineritë e përdorura kushtojnë mbi 500 mijë euro. Duhet të investojmë edhe të paktën 5 milion euro secili për të arritur këtë prodhimtari që e kemi”, deklaroi Aleksandar Borisovski, prodhues qesesh.

Zulkani Jusufi, një tjetër prodhues, thotë se Qeveria si propozues i Ligjit nuk është konsultuar me të gjitha palët kur ka përpiluar këtë ligj.

“Ne jemi të bindur se ata që kanë kërkuar këtë ligj me siguri nuk kanë qenë asnjëherë në ndonjë prodhimtari që të shohin se si prodhohet. Ne kemi kapacitete të bëjmë shumë më shumë, sidomos në pjesën e riciklimit. I kemi makineritë por nuk mund të prodhojmë pasi në shtetin tonë hyjnë 100 tonë qese mbeturinash në muaj. Për këtë nuk ka nevojë. Ne kemi kapacitete edhe për prodhim por edhe për eksport. Kështu do i jepnim vlerë tjetër mbeturinave”, deklaroi Zulkani Jusufi, prodhues.

Me ligjin e ri për mbrojtjen e ambientit i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor, shitësit detyrohen që qeset e plastikës t’i shesin me çmim prej 15 denarë për copë. Qëllimi është që të bie përdorimi i plastikës, për shkak të vështirësive për reciklim dhe dëmin që shkakton plastika ndaj natyrës.

Marketing