OH El Hilal mbrëmë organizoi takimin tradicional të fundvitit, “Mbrëmja e falënderimit” me ç’rast u ndanë bursat studentore për vitin akademik 2021-2022. Në këtë takim, përveç studentëve bursistë morën pjesë edhe aktivistë volonterë të El Hilalit, kryetarët e degëve, personalitete të jetës shoqërore dhe donatorë. Disa nga pjesëmarrësit pranuan mirënjohje për kontributin humanitar të dhënë në vitin që po e lëmë pas.
Në emër të Komisionit për shpërndarjen e bursave të El Hilalit, një retrospektivë të shkurtër dha Etem Xheladini, udhëheqës i Komisionit, ndërkaq për punën, misionin dhe vizionin e El Hilalit foli kryetari i saj, Behixhudin Shehapi. Në emër të 19 studentëve fitues të bursave, fjalë falënderimi mbajti Fatmire Bytuqi nga Shkupi, studente e mjekësisë.
Tubimi, të cilin e udhëhoqi Haris Sylejman, aktivist i El Hilalit, e përshëndeti Dita Starova Qerimi, drejtoresha e Galerise Kombëtare dhe Xhemali Dauti, afarist, filantrop dhe një bamirës i dëshmuar, të cilët thanë fjalë miradie për punën dhe aktivitet e El Hilalit.