Menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të javës së 18-të të pjesës vjeshtore të kampionatit 2021/2022, të gjitha ekipet tanimë gjenden në pushim të merituar, ndërsa drejtuesit e klubeve bëjnë planet e tyre për një organizim sa më të mirë. Klubi futbollit Renova përgatitjet i fillon më 3 janar.
Klubi i futbollit Renova, sezonin vjeshtor e përfundoi në pozitën e pestë me shtatë fitore, gjashtë barazime dhe pesë humbje duke grumbulluar 27 pikë. Trajneri Qatip Osmani për KlanMacedonia tha se është i kënaqur me pozitën aktuale në renditjen tabelore.
“Jemi në vendin e pestë. Jemi në pozitë ku jemi afër kreut të tabelës por duhet të kemi kujdes se sistemi i garave është i tillë që me një seri humbjesh vjenë dhe e rrezikon ekzistencën. Ashtu që ne për këtë kampionat do mundohemi nga ekipi ta nxjerrim më të mirën, kuptohet këtu se do të nevojiten edhe disa përforcime”, deklaroi Qatip Osmani trajner i KF Renova.
Duke pasur parasysh se sezoni pranveror fillon më 13 shkurt, skuadra e Renovës tanimë ka projektuar plan-programin e përgatitjeve që do të fillojnë menjëherë pas festave të vitit Ri. Faza e parë zgjatë nga 3 deri janar, faza e dytë do të zhvillohet në Ohër.
“Janë të parapara shtatë ndeshje miqësore, ndoshta shtatë loja për një fazë përgatitore kaq të shkurt për këtë vit janë shumë, por shkaku se kemi pasur disa lojtar të lënduar dhe presim përforcime. Mendoj se do t’ia arrijmë atë që duam për sezonin e ardhshëm”, deklaroi Qatip Osmani trajner i KF Renova.
Klubi i futbollit Renova në merkaton dimërore pritet të sjell dy-tri lojtar cilësor emrat e të cilëve do të publikohen po sa të arrihet marrëveshje. Nga klubi është larguar vetëm kapiteni Argjend Gafuri.