Tentativat për ndarjen e Bosnjes, SHBA sanksione presidentit serb Dodik

Departamenti Amerikan i Thesarit, përmes një deklarate për media, njofton se ka vendosur sanksione ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje Hercegovinës, Millorad Dodik.

Marketing

Në njoftimin zyrtar të këtij departamenti bëhet me dije se masat ndaj Dodik janë vendosur për veprat që cenojnë stabilitetin e Bosnje Hercegovinës dhe përfshirjen e tij në afera korruptive.

“Dodiku ka minuar institucionet e Bosnje e Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare që ka në Bosnje për të përfituar pasuri për vete përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij ndarëse ento-nacionaliste reflekton në përpjekjet e tij për të avancuar këto qëllime politike dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, dhe në këtë mënyrë rrezikojnë stabilitetin më të gjerë rajonal”, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

Sanksionet nënkuptojnë bllokimin e të gjitha pronave të luajtshme apo paluajtshme që Dodik mund të ketë në SHBA apo dhe të personave të lidhur me të.

Puna e institucioneve shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë është bllokuar që nga korriku i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit e njësisë Republika Sërpska refuzuan të marrin pjesë në çdo vendimmarrje.

Parlamenti i Republikës Sërpska veçse ka ndërmarrë disa iniciativa që mund të çojnë drejt ndarjes nga Bosnja.