Prej 6 ministrave në përbërjen qeveritare nga Bashkimi Demokratik për Integrim, katër janë doktorë shkencash. Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, Ministri i Financave Fatmir Besimi, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani si dhe Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, të gjithë kanë titullin doktor shkencash, transmeton TetovaSot.
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi Diplomoi në Fakultetin juridik “Justinijani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku dhe mori titullin gazetar i diplomuar. Në të njejtin fakultet i mbaroi studimet postdiplomike në sferën e mediave dhe komunikimeve në temën “Roli i mediave të reja në shoqëritë në tranzicion”. Grubi doktoroi në Fakultetin e shkencave sociale – shkenca politike pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës në temën “Roli i mediave në pjesëmarrjen qytetare në ndryshimet politiko – shoqërore.
Ministri i Financave Fatmir Besimi ka kryer Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Shën Kirilit dhe Metodit në drejtimin e “Financave dhe Bankave” në vitin 1998 në Shkup. Studimet postdiplomike për ekonomi i ka mbaruar në Universitetin “Stafordshire” në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2002, ndërsa ka doktoruar në të njejtin universitet me tezë të doktoraturës “Politika Monetare dhe kursit të këmbimit në Republikën e Maqedonisë gjatë procesit të hyrjes në Bashkimin Evropian” në vitin 2007.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 2004. Një pjesë të specializimit e ka kryer në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër, në periudhë prej vitit 2006 deri më 2007, ndërsa në vitin 2012 merr titullin Kirurg specialist. Në vitin 2014 filloi studimet e doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup ku edhe doktoroi në korrik të vitit 2018.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri në vitin akademik 2005/2006 regjistrohet në Fakultetin ekonomik pranë Universitetit shtetëror të Tetovës – Shkup, ku edhe diplomohet në vitin 2008-të. Në vitin akademik 2008/2009 regjistrohet në studimet pasdiplomike në Fakultetin ekonomik pranë Universitetit të Strugës, ku në vitin 2010-të, me mbrojtjen e tezës së magjistraturës arrin nivelin shkencor – Magjistër i Shkencave Ekonomike. Në vitin akademik 2010/2011 regjistrohet në studimet e doktoraturës në Universitetin e Tiranës, Republika e Shqipërisë pranë Fakultetit ekonomik dhe më datë 16.09.2016 mbron tezën e disertacionit me temë “Mbikëqyrja bankare dhe sfidat gjatë realizimit të Bazel II dhe Bazel III në Republikën e Maqedonisë”. (Analiza është kryer në bazë të udhëzimeve nga kriza financiare e viteve 2008-2009).