Rusia dhe Ukraina: Kronikë e një lufte të pashpallur

Rrënjët e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës janë të thella. Në thelb Moska nuk pranon pavarësinë e Kievit.

Marketing

Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë një parahistori, që arrin deri në Mesjetë. Të dy vendet kanë rrënjë të përbashkëta në shtetin sllavo-lindor Perandoria Kiev, ndaj presidenti i Rusisë Valdimir Putin sot preferon të bëjë fjalë për “një popull”. Në të vërtetë rrugët e të dy kombeve prej shekujsh kanë qenë të ndara, u krijuan dy gjuhë dhe dy kultura – ngushtësisht të familjarizuara e megjithatë të ndryshme. Ndërsa Rusia politikisht u zhvillua në perandori, Ukraina nuk ia doli që të ndërtojë shtetin e vet. Në shekullin e 17 territore të mëdha të Ukrainës së sotme ishin pjesë e perandorisë ruse. Pas shpërbërjes së saj më 1917 Ukraina për një kohë të shkurtër u bë e pavarur, derisa Rusia sovjetike e ripushtoi atë ushtarakisht.

Në dhjetor 1991 Ukraina bashkë me Rusinë dhe Bjellorusinë bënte pjesë ndër tri republikat si motra, që vulosën shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Moska donte ta ruante influencën e saj dhe e konsideroi themelimin e Bashkësisë së Shteteteve të Pavarura (GUS) si një instrument për qëllimin e saj. Kremlini besonte edhe, se vendi fqinj përmes furnizimeve të leverdisshme me gaz mund ta mbante të lidhur këtë bashkësi me Rusinë. Por ndodhi ndryshe. Ndërsa Rusia dhe Bjellorusia krijuan një aleancë të ngushtë, Ukraina gjithnjë e më shumë orientohej nga Perëndimi.

Kjo gjë e irritoi Kremlinin, por megjithatë deri në vitet 1990 nuk pati konflikt. Moska dukej e qetë, sepse Perëndimi nuk donte ta integronte Ukrainën. Rusia vet ishte dobësuar ekonomikisht dhe e preokupuar me luftën në Çeçeni. Në vitin 1997 me nënshkrimin e të ashtuquajturës “marrëveshja e madhe” Rusia njohu kufijtë e Ukrainës duke përfshirë edhe gadishullin e banuar me shumicë nga rusë etnik.

Krisjet e para në miqësinë post-sovjetike
Nën presidentin Putin u krijua kriza e parë e madhe diplomatike mes Moskës dhe Kievit. Në vjeshtën 2003 Rusia papritur filloi të ndërtojë në ngushticën e Kerçit një digë në drejtim të ishullit ukrainas Kosa Tusla. Kievi e konsideroi këtë si një përpjekje për ripërkufizimin e kufirit. Konflikti u përshkallëzua dhe u zgjidh vetëm pas një takimi personalisht mes dy presidentëve. Ndërtimi u ndalua, por miqësia e shpallur midis dy vendeve pësoi krisje.

Në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë më 2004 Rusia mbështeti masivisht kandidatin pro-rus Viktor Janukoviç. Por “revolucioni portokalli” e pengoi fitoren e manipuluar, zgjedhjet i fitoi politikani pro-perëndimor Viktor Jushenko. Gjatë mandatit të tij Rusia dy herë i ndërpreu furnizimet me gaz në Ukrainë më 2006 dhe 2009. Furnizimet e tranzitit për në BE u ndërprenë.

Më 2008 ish-presidenti i SHBA-së George Bush, u përpoq t’i afronte në NATO Ukrainën dhe Gjerogjinë duke i pranuar në një program zyrtar përgatitor. Putini protestoi. Moska atëherë bëri të qartë, se pavarësia e Ukrainës nuk është pranuar tërësisht. Gjermania dhe Franca e penguan nismën e Bushit. Në samitin e NATO-s në Bukuresht Ukrainës dhe Gjeorgjisë iu dha një perspektivë antarësimi, por pa përcaktuar një datë.

Meqënëse me NATO-n nuk funksionoi shpejt, Ukraina u përpoq ta shtynte përpara lidhjen me Perëndimin përmes marrëveshjes së asociimit me BE-në. Në verën e vitit 2013, pak muaj para nënshkrimit, Moska ushtroi presion masiv ekonomik ndaj Kievit dhe i pengoi importet ukrainase. Në këtë sfond qeveria e ish-presidentit Janukoviç, që kishte fituar zgjedhjet më 2010, e pezulloi marrëveshjen e negociuar për nënshkrim. Janukoviç, shkaktoi me këtë protesta, që në shkurt 2014 çuan në arratisjen e tij në Rusi.

Aneksimi i Krimesë pikë kthese
Kremlini e shfrytëzoi vakuumin e pushtetit në Kiev për të aneksuar në mars 2014 Krimenë. Ishte një pikë kthese, fillimi i një lufte të pashpallur. Njëkohësisht forcat paraushtarake ruse në rajonin e minierave të qymyrit në Donbas filluan të mobilizohen për kryengritje. U shpallën “republikat Popullore” në Donjeck dhe Luhansk – me rusët në krye. Qeveria në Kiev priti deri pas zgjedhjeve presidenciale në maj 2014 përpara se të niste një ofensivë të madhe ushtarake, që e quajti “mobilizim anti-terror”.

Në qershor 2014 u takuan për herë të parë presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës Petro Poroshenko dhe Putin me ndërmjetësimin gjerman dhe francez në ceremoninë me rastin e 70 vjetorit të D-Days, dita e zbarkimit të forcave aleate që i dhan fund Luftës së Dytë Botërore, në Normandi. Me këtë mori jetë i ashtuquajturi formati i Normandisë.

Asokohe ushtria ukrainase mundi t’i sprapsë separatistët, por në fund të gushtit Rusia sipas këndvështrimit të Kievit ndërhyri në masë ushtarakisht. Moska e hedh poshtë këtë. Njësitë ukrainase në Ilovajsk, një qytezë në lindje të Donjeckut, pësuan humbje. Ishte një pikë kthesë. Lufta në front të gjerë përfundoi në shtator me nënshkrimin e armëpushimit në Minsk.

Pas kësaj nisi lufta e llogoreve, që vazhdon edhe sot. Në fillim të vitit 2015 separatistët sërish dolën në ofensivë dhe sërish sipas Kievit ushtria ruse hyri në veprim duke mos përdorur simbolet e saj. Edhe këtë Moska e përgënjeshtron. Forcat e armatosura ukrainase pësuan një humbje të dytë, kësaj here në qytetin e rëndësishëm strategjik Debalzeve, prej nga u detyruan të largohen menjëherë. Asokohe me ndërmjetësimin perëndimor në raundin Minsk-2 u ra dakord për një marrëveshje, që edhe sot shërben si bazë e përpjekjeve për paqen por që nuk është realizuar.

Së fundi në vjeshtë 2019 ka pasur një rreze shpese. Atëhere u arrit që trupat respektivisht të tërhiqeshin nga disa pozicione prej vijës ndarëse. Por qysh nga samiti i Normandisë në Paris në dhjetor 2019 nuk ka pasur më asnjë takim. Putini nuk do tani për tani ta takojë personalisht presidentin ukrainas Volodymyr Selenskyj, sepse nga këndvështrimi i Rusisë ai nuk po i zbaton marrëveshjet e Minskut. Që nga dhjetori 2021 presidenti i Rusisë, Putin, i kërkon hapur SHBA-së që Ukraina të mos hyjë asnjëherë në NATO dhe të mos marrë ndihma ushtarake. NATO e ka hedhur poshtë këtë kërkesë./DW