BDI: VMRO-DPMNE-së i pengojnë shqiptarët në krye te institucioneve të vendit

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se reagimet e përsëritura të VMRO DPMNE-së janë tregues i qartë i qëllimit të këtij subjekti politik kundër shqiptarëve në krye të institucioneve shtetërore, pikërisht në periudhën kur vendi po shënon progres të dukshëm në proceset politike të rëndësishme për zhbllokimin e rrugës së tij drejt Bashkimit Europian, në të cilat me legjitimitet të plotë nga populli janë të angazhuar kuadrot e Bashkimit Demokratik për Integrim në bashkëpunim me partneret e koalicionit.

Marketing

VMRO DPMNE -së po i pengon edhe përcaktimi strategjik dhe angazhimi i BDI-së për ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit, për thellimin e bashkëpunim ekonomik me ta, për projektet e ndërlidhjes më efikase rrugore, prandaj tenton të hedhë pluhur mbi agjendën e gjelbër të konfirmuar proeuropiane të zhvillimit të vendit përmes plasimit të akuzave të pabaza.

Këto prononcime mediatike të VMRO-së janë kopje e zbehtë e fushatës së LSDM-së para disa viteve me të njejtin vokabular dhe me të njejtin qellim.

Projektet e realizuara dhe qasja konstuktive e kuadrove të Bashkimit Demokratik për Integrim demaskojnë demagogjine politike të VMRO-së e cila po shfaq shenja nervozizmi të pabazuar nga sukseset e kuadrove shqiptarë në udhëheqje të institucioneve dhe politikave shteterore.

Bashkimi Demokratik për Integrim udhëheq politika transparente të zhvillimit të vendit, me program konkret e të dëshmuar të qeverisjes së mirë, me ekzekutiv të reformuar në aspektin kadrovik duke qenë faktor i pakontestueshëm stabiliteti.

VMRO duhet të mësohet dhe ta pranojë realitetin e pamohueshëm të përfshirjes së barabartë të shqiptarëve dhe që kohërat e politikave kundër shqiptarëve, kundër fqinjëve, kundër NATO dhe BE nuk mund të kthehen më në vendin tonë.

Është e trishtueshme të shohësh zhgënjimin e VMRO-së që i çon ata në margjinat e tolerancës shoqërore. Akuzat e pabaza, gënjeshtrat e kulluara dhe komplotet imagjinare nuk i përshtaten një partie që aspiron të udhëheqë këtë vend.

VMRO-ja pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit bashkë me Levicën, Besën dhe Aleancën nuk mund t’i tejkalojë emocionet e veta dhe në vend që t’u ofrojë zgjidhje dhe propozime qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, ofrojnë gënjeshtra dhe mashtrime.

Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të mirën e qytetarëve duke ofruar cilësi më të mirë të jetës, duke inicuar programe dhe projekte që janë krijuar për të nxitur ekonominë dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë të cilëve u shërbejmë.