Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexey Navalny, u ka bërë thirrje rusëve të protestojnë kundër luftës në Ukrainë në qytete anembanë Rusisë dhe botës më 6 mars.
“Tregojini botës se rusët nuk duan luftë. Dilni në sheshet e Berlinit, Nju Jorkut, Amsterdamit apo Melburnit, kudo që të jeni. Tani ne jemi të gjithë përgjegjës për të ardhmen e Rusisë”, tha Navalny në një postim në blogun e tij.
“Mund të kesh frikë, por t’i nënshtrohesh kësaj frike do të thotë të bëhesh krah fashistëve dhe vrasësve. Putini tashmë ia ka dëmtuar Rusisë ekonominë, marrëdhëniet me botën dhe shpresën për një të ardhme”, shtoi ai.
Disa raunde protestash kundër luftës janë zhvilluar tashmë në qytete anembanë Rusisë. Më se 8,000 njerëz janë arrestuar për pjesëmarrje në demonstrata, sipas grupit të monitorimit të protestave OVD-Info.