“Nuk kam shpallur gjendje lufte”, Putin: Shpresoj që të mos kemi një të tillë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se nuk e ka në plan që të shpallë gjendje lufte në Rusi.

Marketing

Gjatë një takimi me punëtorët e kompanisë ajrore ruse, Aeroflot, presidenti rus tha se një vendim i tillë do të ndërmerrej vetëm në “rast të agresionit të jashtëm, në zona të përcaktuara të aktivitetit ushtarak”.

“Por, ne nuk kemi një situatë të tillë dhe shpresoj që të mos kemi një të tillë”, tha ai.

Ka pasur zëra se Putini po planifikonte që të shpallte gjendje ushtarake – që nënkupton që ligji normal civil pezullohet ose ushtria merr kontrollin e funksioneve të Qeverisë.

Putin tha se masa të tjera të jashtëzakonshme që mund të përdoren në rast të një “kërcënimi të jashtëm të shkallës së gjerë”, por ai tha se nuk e ka në plan që të ndërmarrë as këto hapa.

Megjithatë, Putin tha se sanksionet perëndimore ndaj shtetit të tij ishin të ngjashme me shpallje të luftës. Ai sërish mbrojti vendimin për ta pushtuar Ukrainën, duke thënë se Moska kishte nevojë që të mbronte rusishtfolësit në lindje të Ukrainës, por edhe interesat e saj.

Ai ripërsëriti qëndrimin e tij se Rusia do që Ukraina të “çmilitarizohet” dhe “denazifkohet”, duke shtuar se Kievi zyrtar duhet të ketë status neutral.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Perëndimi e ka dënuar agresionin rus, dhe janë kundërpërgjigjur me sanksione të ashpra ekonomike kundër Rusisë.