Visa dhe Mastercard thanë të shtunën se kanë pezulluar të gjitha operacionet në Rusi për shkak të luftës së saj në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Duke hyrë në fuqi menjëherë, Visa do të punojë me klientët dhe partnerët e saj brenda Rusisë për të ndërprerë të gjitha transaksionet me Visa gjatë ditëve në vijim. Pasi të përfundojnë, të gjitha transaksionet e iniciuara me kartat Visa të lëshuara në Rusi nuk do të funksionojnë më jashtë vendit dhe çdo kartë Visa e lëshuar nga institucione financiare jashtë Rusisë nuk do të funksionojë më brenda Federatës Ruse”, tha kompania shumëkombëshe e shërbimeve financiare me bazë në SHBA në një deklaratë.
“Ne jemi të detyruar të veprojmë pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe ngjarjeve të papranueshme që kemi parë”, tha kryetari dhe shefi ekzekutiv Al Kelly.
Kelly e përshkroi luftën si një “kërcënim të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin” që kërkon që kompania të “përgjigjet në përputhje me vlerat tona”.
Edhe Mastercard tha se gjithashtu do të ndërpresë operacionet në Rusi për arsye të ngjashme.
Kartat e lëshuara nga bankat ruse nuk do të mbështeten më nga rrjeti Mastercard dhe çdo Mastercard e lëshuar jashtë vendit nuk do të funksionojë tek shitësit ose ATM-të ruse, tha kompania.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ku Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Britania dhe vende të tjera kanë vendosur sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Qindra civilë kanë humbur jetën dhe qindra janë plagosur që nga fillimi i sulmeve ruse.
Më shumë se 1,3 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.