Iu transplantua zemra e derrit 2 muaj më parë, vdes pacienti 57-vjeçar

Ka ndërruar jetë, David Bennett, personi i parë në botë që iu transplantua zemra e një derri e modifikuar gjenetikisht.

Marketing

David Bennett, i cili vuante nga sëmundje të zemrës, jetoi dy muaj pas operacionit që u zhvillua në SHBA. Por gjendja e tij filloi të përkeqësohej disa ditë më parë, thanë mjekët dhe fatkeqësisht 57-vjeçari vdiq më 8 mars.

Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi vdekjen e Bennett, tha Qendra Mjekësore e Universitetit të Maryland, ku u krye transplanti më 7 janar.

Bennett para se t’i nënshtrohej operacionit për gjashtë javë qëndroi, i lidhur me një pajisje mjekësore që po e mbante në jetë.

Bennett iu nënshtrua operacionit më 7 janar dhe mjekët thonë se në javët më pas ai kaloi kohë me familjen e tij.

“Ai dëshmoi se ishte një pacient i guximshëm dhe fisnik që luftoi deri në fund,” tha kirurgu Bartley Griffith, i cili kreu transplantin, në një deklaratë të dhënë nga spitali.

Por djali i Bennett, David Jr, tha se shpresonte se transplanti i babait të tij do të ishte “fillimi i shpresës dhe jo fundi”, sipas agjencisë së lajmeve AP.

“Ne jemi mirënjohës për çdo moment inovativ, çdo ëndërr, që hyri në këtë përpjekje historike”, shtoi ai.

Marketing