Alioski: Duam të jemi në Botëror

Kanë kaluar disa ditë që kur Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut e shokoi Kampionin në fuqi të Evropës, Italinë, por me një gjë të tillë ata nuk e kanë ndërmend të ndalen, përcjell Reporteri.net.

Marketing

Asnjëherë nuk është kualifikuar në Kampionatin Botëror, por një gjë të tillë e ka shumë afër, nëse do të mposhte Portugalinë në finale të Play-Off ajo do të rezervonte direkt biletën për Botëror, i cili do të mbahet në Katar në këtë vit.

Njëri prej futbollistëve shqiptarë, Ezgjan Alioski, ka thënë se janë duke e ëndërruar Botërorin.

“Nuk kemi fituar ende asgjë. Lamë jashtë garës një ekip të madh si Italia dhe nuk jemi kualifikuar ende”, tha fillimisht ai për “Blick”, duke shtuar pastaj se nuk mërzitet se e gjithë Italia ishte duke qarë pas ndeshjes.

“Kjo është arsyeja pse nuk e kam ndërgjegjen e keqe. Ne ëndërrojmë Kampionatin Botëror në Katar. Ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë realitet këtë ëndërr të madhe”, shtoi 30-vjeçari.

“Mund të mposhtet edhe Italia”, kishte thënë Alioski para ndeshjes me “Azzurrët”, dhe të njëjtën gjë e tha edhe tani para ndeshjes me Portugalinë.

Nëse Maeqdonia e Veriut eliminon dhe Portugalinë, atëherë edhe një yll i madh si Cristiano Ronaldo do të mbetej jashtë Botërorit. Futbollisti shqiptar tregoi respekt për portugezin, por tha se ai dhe shokët e tij duan ta realizojnë ëndrrën e tyre.

“Ronaldo ka luajtur në një nivel të lartë për gati njëzet vjet. Nuk dua t’i prish asgjë Ronaldos. Por, unë dua të përmbush ëndrrën tonë të madhe. Të gjithë besojmë se mund ta bëjmë në Portugali”, deklaroi Ezgjan Alioski.

Ndryshe, ndeshja finale mes Portugalisë dhe Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet më 29 mars në Porto.